Grupi i futbollistëve në drejtim të Nicës është i plotë tashmë, pasi mesfushori dhe sulmuesi kanë lënë pas dëmtimet. Sot miqësore me Dinamon
Vladimir Prenga
Nga Laçi në Kamzë, ka sërish ndryshim destinacioni për skuadrën kurbinas, që pas një periudhe dyjavore që qëndroi e grumbulluar dhe u stërvit intensivisht me dy seanca në Laç, tashmë programi ka ndryshuar. Dje skuadra u përgatit e ndarë në dy pjesë paradite, teksa një pjesë e futbollistëve bënë vrapime te Kodrat e Liqenit Artificial, ndërsa pjesa e lojtarëve vendas dhe atyre të akomoduar në qytetin verior, u stërvitën në aneksin stërvitor në Laç. Pasdite e gjithë skuadra u vu nën urdhrat e trajnerit Nica, që punoi me skuadrën më së shumti në aspektin tekniko-taktik në Kamzë. Sot ekipi do të zhvillojë edhe miqësoren e radhës, e dhjeta për bardhezinjtë, që të dielën mundën skuadrën e Tiranës me golin e shënuar nga Ansi Nika, i cili dje festoi me skuadrën 27-vjetorin e lindjes. Miqësorja me Dinamon do të zhvillohet në Pezë-Helmës prej orës 17:00.
RIKTHIMET – Këtë javë për trajnerin Nica grupi i futbollistëve ka qenë edhe më i plotë, pasi nën urdhrat e teknikut durrsak është vënë edhe mesfushori Regi Lushkja, i cili ka pasur një problem në gju që në fillim të muajit korrik. Pas seancave terapike dhe përgatitjes i diferencuar, tashmë ai është futur me grupin duke marrë pjesë edhe në lojërat që zhvillohen brenda ekipit. Një tjetër futbollist i rikthyer është sulmuesi Jurgen Vatnikaj. 21-vjeçari pat pësuar një dëmtim në kavilje, por e ka lënë pas dhe ka nisur normalisht përgatitjet. Së bashku me afrimet e fundit, sulmuesin Rexhinaldo, mbrojtësit Ademir Souza dhe Amadou Boiro, si dhe mesfushorin Maikon Eskerda, grupi është bërë më i plotë, ndërkohë që konkurrenca në ekip është mjaft e madhe. Drejtuesit janë munduar të zëvendësojnë të gjithë lojtarët e larguar dhe të dublojnë çdo pozicion në fushë, në mënyrë që skuadra të jetë gati për sezonin e ri futbollistik.