E marta ka qenë dita e dytë e qëndrimit për kuqeblutë e Vllaznisë në tokën malazeze. Ndërsa në ditën e parë u konsumua vetëm një seance stërvitore, e marta është shoqëruar me dy të tilla, njëra paradite dhe tjetra pasdite. Informacionet që vijnë nga Berane, qyteti ku skuadra është akomoduar që prej mesditës të së hënës, bëjnë të ditur se përgatitjet e Vllaznisë po shkojnë në mënyrën më të mirë. Sipas drejtuesve të klubit, kushtet e mira të akomodimit në hotel, por edhe ato të infrastrukturës sportive, kanë bërë që lojtarët dhe stafi të ndihen mirë në këtë drejtim, çka po reflektohet edhe në efektivitetin e procesit stërvitor. Konkretisht, seanca e paradites ka pasur në program ngarkesat fizike, ndërsa ajo e pasdites i është kushtuar veprimeve teknike. Ashtu si edhe në ditët përgatitore të zhvilluara në qytetin e Shkodrës, krahas të tjerave, tekniku Armando Cungu ka vijuar të aplikojë në një minutazh të konsiderueshëm edhe ndeshjet e kontrollit brenda grupit. Me katër miqësoret e zhvilluara gjatë përgatitjeve në Shkodër, në një farë mënyre stafi ka filluar të projektojë edhe formacionin e parë, ku skeleti duket i ndërtuar, por dilemat në fakt vazhdojnë të jenë në pika të ndryshme, për të cilat do të jetë pikërisht kjo periudhë që do të vendosë për alternativat më cilësore. Më së shumti, luhatjet më të mëdha në këtë drejtim për stafin teknik pritet të jenë në repartin e mesfushës, aty ku numri i kandidatëve për një vend titullari është më i madh se sa në repartet e tjerë. Trajneri Cungu do të shohë me shumë kujdes për të vendosur se cilët do të jenë më të përshtatshmit për këtë repart.
Çështja “Vucaj”
Çështja e afrimit të Erjon Vucajt vazhdon të jetë në fokusin kryesor të opinionit sportiv shkodran. Ai është lakuar për një rikthim në Shkodër, ashtu siç bënë edhe dy bashkëqytetarët e tij, Edon Hasani dhe Gilman Lika. Në Shkodër të gjithë presin të mësojmë realisht se çfarë po ndodh në këtë drejtim. Nisur nga komentet mediatike të fundjavës së kaluar, e hëna pritej të zgjidhte gjithçka, por, siç është bërë e ditur nga “Sport Ekspres”, për çështjen në fjalë nuk ka pasur zhvillime të reja. Të paktën kështu bëjnë të ditur burimet zyrtare nga selia e klubit kuqeblu. Sipas tyre, për momentin ka pasur asnjë takim konkret mes titullarit të klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezit, dhe futbollistit Erjon Vucaj. Nga i njëjti burim mësohet se administratori Gjyrezi, i cili ditët e fundit ka qenë jashtë vendit, në mesjavë pritet të kthehet në Shkodër dhe me siguri takimi i përfolur nuk do të vonojë të realizohet. Me të gjitha gjasat, një gjë e tillë mund të ndodhë edhe sot, sepse të dy palët nuk kanë kohë për të humbur. Vërtet që merkato është e hapur deri me 31 gusht, por nga ana tjetër, kampionati thuajse është në “derë” dhe si për Vllazninë, ashtu edhe për Vucajn, gjërat duhet të vendosen së më parë për të qenë gati me 9 shtator, ditën e startit të Superligës.