Ditën e djeshme, shumë legjenda të futbollit shqiptar janë mbledhur dhe në një fushë kalçeto kanë zhvilluar një ndeshje mes tyre, në shenjë sensibilizimi, teksa prezent ka qenë edhe ai, “Tushja”. Mes tyre figura si Omuri, Mema, Tomorri, Kola, Demollari e shumë të tjerë.
Përpara fundit të kampionatit, drejtuesit e klubit “Skënderbeu”, me në krye presidentin Ardjan Takaj, vendosën që 50% e të ardhurave, që do të mblidheshin nga shitja e biletave të ndeshjes me Tiranën, të shkonin për Artur Lekbellon, ish-lojtarin e Tiranës dhe Kombëtares, i cili vuan nga një problem shëndetësor dhe ka nevojë për ndihmë. Por, jo vetëm kaq, por edhe në Greqi pati një nismë për të ndihmuar Tushen.
Në fakt, veteranët e Arisit, klub ku edhe ka luajtur, zhvilluan një ndeshje dhe paratë e biletave ia dhuruan pikërisht ish-futbollistit të Shqipërisë, i cili kohë më parë deklaroi: “Kam një sëmundje, ku maksimalja që mund të jetosh është 3 vjet, por falë Zotit unë kam arritur në vitin e pestë. Pasi kuptova për sëmundjen që kisha, fëmijët e mi e morën në dorë këtë situatë dhe bënë disa kërkime jashtë Greqisë. Për fat të mirë, ndodhet një klinikë e specializuar në Gjermani dhe një në Amerikë, që janë shumë të përparuara për sa i përket kësaj sëmundjeje”.