9 fitore në 10 ndeshje! Super rezultate nga Shqipëria e Armand Damës, reagon Duka: Kjo është krenari

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka ndarë një mesazh krenarie për paraqitjen e Kombëtares U-15 në turneun FIFA U-15 World Cup & Festival, të zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Duka ka vlerësuar rezultatet e arritura nga talentet e rinj shqiptarë, të cilët kanë regjistruar një bilanc fantastik: 9 fitore në 10 ndeshje të zhvilluara dhe vetëm një humbje.

Ky rezultat i ka pozicionuar kuqezinjtë në vendin e 17-të mes 189 përfaqësueseve nga e gjithë bota, një arritje që merr vlerë të veçantë duke pasur parasysh nivelin dhe përmasat e aktivitetit ndërkombëtar.

Duka e ka cilësuar këtë eksperiencë si një hap të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të futbollit shqiptar, duke falënderuar gjithashtu trajnerin Armand Dama dhe të gjithë stafin për punën e bërë.

Një sinjal pozitiv për të ardhmen, me një brez të ri futbollistësh që po fiton eksperiencë dhe po përfaqëson Shqipërinë me dinjitet në arenën ndërkombëtare.

“Krenar për djemtë tanë të Kombëtares U-15!  Në 10 ndeshje të luajtura në FIFA U-15 World Cup & Festival në Baku, fituan 9 prej tyre dhe pësuan vetëm 1 humbje, duke u renditur në vendin e 17-të, mes 189 përfaqësuesesh nga e gjithë bota. Një eksperiencë e çmuar për talentet e rinj dhe një hap i radhës në rrugën e zhvillimit të futbollit shqiptar. Faleminderit trajnerit Armand Dama dhe gjithë stafit”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/