50 milionë eurot i hedhin në kosh! Trajnerë të huaj? Jo faleminderit, kemi Shpëtim Duron dhe Ilir Dajën

Nga Klaudio Ndreca

Kompleksi i inferioritetit është një problem shumë serioz i shqiptarëve. Shihet gjithëkund, veçanërisht në futboll, në të gjithë ambientet e sportit. Madje edhe në intervistat me personazhe të njohur të arenës europiane ku kërkojmë me ngulm prej tyre se çfarë mendimi kanë ata për ne, gati-gati si të thuash: “A kemi shpresa edhe ne?”

Përgjigja e tyre injoruese është po e njëjta: “Forca juaj si Shqipëri është grupi”. Ky kompleks na shoqëron edhe me zgjedhjet e trajnerëve apo lojtarëve. Mjafton që dikush të vijë nga Brazili dhe mendohet se është Ronaldinho i ardhshëm, kur në fakt nuk vlen asgjë dhe i digjet mundësia një talenti të akademisë që rritet me ëndrrën për t’u bërë djali që i gjithë qyteti do të flas për të pasi të shndërrohet në yllin e Partizanit, Tiranës apo Dinamos.

Sa i përket trajnerëve, shuplakën e fortë kanë vazhduar ta japin sërish Shpëtim Duro dhe Ilir Daja. Të dy teknikët treguan se Europa u përket atyre, se janë specialistë në këtë arenë. 50 milionë euro kanë hedhur në kosh praktikisht të dy këta trajnerë. Fillimisht ishte Shpëtim Duro që befasoi Zalgiris.

Kjo skuadër kushton 8 milionë euro dhe ka jo pak eksperiencë, ndërsa Struga përfaqësonte për herë të parë në Champions League një vend si Maqedonia e Veriut. Por kjo nuk përbënte aspak problem Duron që të merrte barazimin pa gola.

Ka shijen e një fitore të arritur me Strugën. Nga krahu tjetër, Ilir Daja bën befasinë e radhës, mund Ludogorest që ka shumë emër në Europë. 40 milionë euro kushton ky ekip dhe vetëm një lojtar i saji, Bernard Tekpetey që vlen 5 milionë euro, kushton më shumë se gjithë Ballkani, që vlen 4.70 milionë euro.

Por kjo nuk e ndali Ilir Dajën që të korrte suksesin e madh. Kampionët e Kosovës arritën që të fitonin me shifrat 2-0 dhe kryesorja, duke mos fituar rastësisht. Pas ndeshjes, lojtarët dhe trajneri i Ludogorest ishin kokëulur dhe e kanë pranuar se u mundën me meritë nga Ballkani. E si për ironi të fatit, dy trajnerët tanë më të mirë që janë dëshmuar si specialistë në Europë, Shpëtim Duro dhe Ilir Daja, nuk janë pjesë e Superiores. Por për fatin e mirë, janë duke ngritur peshë emrat e ekipeve shqiptare në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *