Dinamo është kampione e Kupës së Shqipërisë. Blutë kanë mposhtur Egnatian dhe kanë ngritur trofeun për të dytin vit radhazi. Një ndeshje me mjaft emocione që i përmbushi më së miri pritshmëritë e një finaleje.
Sfida nisi me një karton të kuq për Egnatian. Bakajoko la fushën që në minutën e 8 pas një ndërhyrjeje të gabuar karshi portierit kundërshtar. Epërsia numerike u shfrytëzua menjëherë nga ekipi i Ilir Dajës. Malomo në minutën e 23-të dhe më pas Bregu në minutën e 29 i dhanë skuadrës avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë.
Ndërkohë në pjesën e dytë u baraspeshuan balancat në fushën e lojës. Malomo u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 58 dhe të dy ekipet u gjendën me nga 10 lojtarë në tapetin e gjelbërt. Buriçi ngushtoi diferencat në minutën e 81-të për Egnatian, por vetëm 3 minuta më vonë Mustafai shënoi sërish për Dinamon. Egnatia gjeti sërish rrugën e rrjetës në minutën e 3-të të shtesës me anë të Adjesës, por atëherë ishte tepër vonë. Finala përfundoi me shifrat 3-2 në favor të Dinamos që ngre për të dytin vit radhazi trofeun e Kupës së Shqipërisë./Sport Ekspres/