E ardhmja e teknikut peqinas do të qartësohet në këto dy ditë, teksa mundësitë janë disa dhe nga më të ndryshmet
Jurgen Zela
Ditët e fundit të dhjetorit edhe pse janë ndër më të ftohtat të vitit, po rezultojnë më të nxehtat sa i përket merkatos, në mënyrë specifike për stolat e trajnerëve. Gugash Magani është emri i cili po lakohet në ditët e fundit, në media. Nga pikëpyetja te Teuta, te mundësia për të marrë Partizanin, që realisht e ka kontaktuar, por ndoshta brenda klubit të kuq nuk është ende e qartë çfarë duan të bëjnë. Magani për “Sport Ekspres” thyen heshtjen vetëm për një shteg, duke lënë sërish enigmë të ardhmen e tij.
KOHA E VENDOSJES
Pas ndeshjes me Skënderbeun, që në momentin kur nuk u paraqit për të dhënë prononcimet e zakonshme, u aludua se ai dhe Teuta do t’i ndanin rrugët aty. Magani kishte kërkuar dhe më parë dorëheqjen, por drejtuesit e kishin refuzuar duke i dhënë besim të plotë atij. Ishte faqja e Teutës ajo që reagoi pas ndeshjes me korçarët duke deklaruar se Magani vijon të jetë trajner i durrsakëve. Gjithsesi mbete për t’u parë nëse peqinase do ta vijojë aventurën e tij me “djemtë e detit” dhe kjo gjë do të vendoset brenda këtyre 48 orëve. “Sport Ekspres” e kontaktoi teknikun peqinase, i cili të vetmen gjë që pohoi ishte fakti se brenda këtyre dy ditëve do të qartësohej dhe e ardhmja e tij, teksa për gazetën ai deklaroi: “Për dy ditë mbyllet gjithçka, nuk mund të jap më shumë shpjegime”.
QËNDRIMI TE TEUTA
Në Durrës kanë treguar se i besojnë shumë Maganit dhe nuk do të ishte aspak çudi nëse do të vendoste që të vijonte projektin e nisur. Një mundësi reale, çka do konfirmonte dhe një herë besimin e madh që kanë në Durrës për të. fakti që më herët ka bërë mirë, i jep besimin se sërish mund të ketë sukses. Me merkaton e janarit përpara duket dhe me besimin se do t’i afrohen lojtarë kualitativ në merkato atëherë shanset do të ishin që dhe vetë Magani të vijonte punën deri në fund të sezonit, pse jo dhe më gjatë.
LËVIZJA E BUJSHME DREJT PARTIZANIT
Nga dorëheqja e Starovës te qëndrimi i tij. Në mes mund të ketë shumë, por kur dihet se Starova dhe Partizani janë një binom që e gjejnë gjithmonë gjuhën e përbashkët nuk është çudi që në pankinë të ketë lëvizje edhe pse “Bobi” u konfirmua si trajner dhe pas humbjes në Gjirokastër. Gugash Magani ishte emri i bujshëm i cili u përfol si timonieri i mundshëm i Partizanit. Edhe pse te klubi i kuq nuk e konfirmojnë diçka të tillë as nuk e përgënjeshtrojnë, pavarësisht se nën zë thonë se Starova do të jetë trajneri sërish. “Demat” duan sërish lavdinë dhe afrimi i një emri si Magani mund të nisë një projekt të ri. Një gjysmë sezoni për t’u shpëtuar, por dhe një gjysmë sezoni për të ndërtuar një skuadër kompetitive për vazhdimësinë.
SURPRIZA E MADHE
Kukësi është në kërkim të një trajneri të ri, por emrat që po shqyrton janë aq të shumtë, sa siç ndërtohet një formacion i mundshëm para një ndeshje mund të ndërtohet dhe një formacion me emrat që lakohen si timonierët e rinj të Kukësit, Gjërat po ecin shpejt në kampion verilindor, por është një pikë ku rrugët mund të takohen dhe me Maganin. Kukësi deri të mërkurën do e ketë një trajner të ri, ndërsa Magani deri të martën tha se do e ketë qartësuar situatën. Magani ende nuk është përmendur si një kandidaturë te Kukësi, por fakti se është një trajner i njohur në kampionatin shqiptar e bën interesant për çdo klub. Një ekuacion me shumë të panjohura, por që tashmë ka një afat ku do merret vesh. Të presim e të shohim!