“Askush nuk na ka dhuruar asgjë”, De La Fuente përpara finales: Duhet të jemi mbi nivelin e ndeshjeve të fundit për të fituar

Euro 2024-s po i vjen fundi. Mbrëmjen e nesërme, duke nisur nga ora 21:00, do të lujet finalja e madhe mes Spanjës dhe Anglisë. Trajneri De La Fuente është paraqitur përpara mediave, ku ka dhënë këndvështrimin e tij për këtë sfidë. Kreu i pankinës spanjolle ka thënë se ekipi duhet të shfaqet në fushë mbi nivelin e ndeshjeve të fundit nëse dëshiron që pas vërshëllimës përfundimtare të marrin trofeun në duart e tyre.

“Duhet ta përballosh me qetësi. Futbollistët kanë luajtur tashmë në shumë finale, por pak kanë luajtur në finalen e Europianit. Duhet të jesh i qetë dhe të kënaqesh. Jam i emocionuar që jam në një finale të Europianit. Është dita që do të kërkoj më pak prej tyre, sepse ata japin gjithçka.

Unë do të shoh fytyrat e tyre dhe do t’u kërkoj vetëm të shijojnë atë që kanë fituar, që është të luajë në një finale.  Askush nuk i ka dhuruar asgjë këtij ekipi, e kanë merituar. Nëse nuk do të jemi mbi nivelin e ndeshjeve të fundit dhe më të përqendruar, nuk do të mund të fitojmë, por e di që do ta bëjmë”, ka deklaruar ndër të tjera Luis De La Fuente./Halit Delibashi-Sport Ekspres/