8000 euro që i ndryshuan jetën dhe ofertat e Espanjolit e Majorkës, jeta e Uzunit bën kuriozë mediat spanjolle

Myrto Uzuni është padyshim lojtari i momentit në La Liga 2. Futbollisti shqiptar udhëheq listën e golashënuesve, teksa mbrëmjen e djeshme përmirësoi statistikat e tij personale me 2 gola të tjerë dhe një asist. Vlera e tij në treg është rritur ndjeshëm, teksa “Transfermarkt“ e vlerëson me 5 milionë euro kartonin e beratasit.

Por për të mbërritur në majat e karrierës së tij nuk është e lehtë. Vështirësitë e jetës së Uzunit kanë zgjuar kuriozitetin e mediave spanjolle, që shkruajnë për rrugëtimin e sulmuesit shqiptar. Gjithçka nis shumë vite më parë, kur familja e tij paguan 8 mijë euro për të kaluar ilegalisht në Greqi, ku Myrtua provon të bëhet pjesë e Olimpiakosit. Uzuni, megjithëse fëmijë, punonte për të ndihmuar familjen e tij, por njëkohësisht ndiqte edhe stërvitjen rigoroze për të mos lënë pas dore ëndrrën e tij të madhe, që një ditë të bëhej një futbollist profesionist.

Mungesa e dokumentacionit bëri që në Greqi të ishte e pamundur të luante futboll, prandaj familja kthehet në Shqipëri për t’i plotësuar dëshirën e madhe. “Estadio Deportivo” vazhdon me kronologjinë e jetës së 25-vjeçarit, që nisi të ngjiste hapat nga Kategoria e Dytë e Shqipërisë deri në elitë, për të kaluar më pas në radhët e Lokomotivës së Zagrebit, e prej aty drejt Ferencvaroshit.

Paraqitjet e mira nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe pak vite më parë ishte pranë kalimit në La Liga. Uzuni ka pranuar se në drejtim të tij ka pasur oferta nga Espanjoli dhe Majorka, por transferimi dështoi për shkak të pandemisë. Megjithatë, nuk vonoi gjatë dhe futbollisti i Kombëtares kuqezi arriti të shkonte në një prej 5 ligave më të forta të Europës. Nga janari deri në fillim të qershorit Uzuni mbajti veshur fanellën e Granadës në La Liga, ndërsa këtë sezon po jep një kontribut të çmuar për ta rikthyer sërish ekipin në elitë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *