Nga Klaudio Ndreca
Një raportim i bujshëm ka ardhur nga mediat e Spanjës sa i përket Kristiano Ronaldos, duke bërë xhiron e gjithë Europës. “Don Balon” ka shkruar se portugezi do të shkojë te Newcastle në sezonin e ardhshëm. Skuadra angleze me drejtimin e sheikut, Mohamed Bin Salman, është më e pasura në “Premier League”. Deri në këto momente ishte Manchester City që kryeson me 23 bilionë paund pasuri, por tashmë kryesimin e merr Neëcastle me 260 bilionë paund.
Pra aspekti ekonomik nuk diskutohet aspak te kjo skuadër që do të prish garën në Angli. Po sipas “Don Balon” bëhet fjalë për një kontratë me shifra marramëndëse që do të fitohen nga Ronaldo dhe do të nënshkruhet për dy vite, me të drejtë largimi pas një viti nëse e dëshiron futbollisti.
Këtu del në skenë një tjetër dëshirë e portugezit që kërkon ta mbyllë karrierën në Amerikë. Në fakt kanë qenë jo të pakëta rastet kur media spanjolle në fjalë ka shfrenuar fantazinë me merkaton, por zhurma e madhe e bërë në Itali dhe mohimi që nuk ka ardhur ende nga protagonistët, e bashkangjitur me pasurinë e Newcastle, bën që në këtë mes të ketë vend për dyshime. /Sport Ekspres/