250 mijë euro në vit, Duka mes Panuçit dhe Zengës!

 

Presidenti i FSHF-së ka “tkurrur” listën me emra, ndërsa këtë javë do të vendoset edhe për sa i përket drejtorit teknik: Sinjoreli dhe Kamoleze emrat

Nga Anton Cicani

Sikur të mos mjaftonte vapa e madhe që ka pushtuar Shqipërinë dhe temperaturat shpesh “afrikane”, presidenti i federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, që ende s’ka nisur pushimet e tij (siç ka bërë thuajse çdo verë, përjashto vjet me Europianin), duhet ta ketë ndjerë më shumë muajin qershor që sapo u mbyll dhe shpreson që “freskimi” të vijë kur të nënshkruajë me trajnerin e ri të Shqipërisë, duke i dhënë çelsat e kombëtares së lënë jetime nga Xhani de Biazi. Shumë emra, shumë kontakte, mesazhe telefonike, por edhe deri te “ëhatsapp”…

Kreu i federatës e di mjaft mirë se për të zëvendësuar një si Xhani de Biazi do të jetë shumë e vështirë, në disa “rreshta”, e pamundur. Sepse, arritja e Euro 2016 ishte dhe do të vazhdojë të jetë një nga faqet më të bukura që kemi shkruar ndonjëherë në sportin shqiptar, duke lënë në hije edhe ngjarjet politike, premtimet boshe dhe endrrën për të qenë pjesë e BE (Bashkimit Europian). De Biazi na dhuroi një cikël të ri, i bindi lojtarët se mund të bënin diferencën dhe madje ndryshoi edhe skemat dhe sidomos freskoi skuadrën. Pikërisht largimi i De Biazit ka sjellë edhe një gropë të madhe, edhe pse për momentin jo “thithëse”.

Kandidatët – Fakti është se jo vetëm largimi i De Biazit, por edhe refuzimi i marrë nga Paolo Tramexani kanë qenë goditje të dyfishta për presidentin Duka, i cili duhet të gjejë jo vetëm një strateg për stolin kuqezi, por edhe një person që do të mund të monitoronte situatën, të kishte kontakte me futbollistë në mënyrë të vazhdueshme. Praktikisht, figura e drejtorit teknik të kombëtares, e cila është kthyer në një garë dyshe mes Kamolezes dhe Sinjorelit. E ndërsa i pari ka qenë vetëm trajner dhe s’ka përvojë në këtë post si drejtues, Sinjoreli deri pak përpara disa muajsh ka punuar te Mantova si drejtor sportiv. Sakaq, për trajnerin lista është “tkurrur” dhe pasi Duka ka dëgjuar shumë këshilltarë, agjentë të ndryshëm apo ndërlidhës, ka vendosur që të zgjedhë mes pak emrave.

Buxheti – Sigurisht, lista nuk prezanton aspak  Filipo Inzagin dhe as Klarens Sedorfin, për të vetmin fakt se i pari është “produkt” publicitar, ndërsa i dyti kërkon 1 milonë euro e tej. Praktikisht, në listën e Dukës, duke përjashtuar edhe Masimo Odon, që megjithatë pasi dështoi te Peskara kërkon një rrogë që të jetë diku te 500 mijë eurot, ka mbetur në garë vetëm Kristian Panuçi dhe Valter Zenga. Pikërisht ish-mbrojtësi i Romës dhe Milanit, por edhe ish portieri i Interit, janë duke reflektuar. Duka i ka bërë ofertën e tij, që burime të sigurta pranë “Sport Ekspres” bëjnë me dije se bëhet fjalë për 250 mijë euro në sezon, ndërsa për këto katër ndeshje do të paguhen shumë pak dhe, ndoshta në sajë të rezultateve…

Pretendimet – Në lidhje me kërkesat, projekti është kryesori. Si Panuçi, ashtu edhe Zenga, duan të dijnë se çfarë do të ndodhë dhe se di do të jenë “liritë” e tyre. Sakaq, Panuçi ka drejtuar më parë Livornon, ndërsa Zenga ka qenë pjesë e Uolverhamptonit, në ligën e dytë angleze. Zenga më parë ka drejtuar edhe në Itali, Palermo, Sampdoria dhe Katania, teksa pretendimet e tij ekonomike kanë prekur shifrën 1 milionë euro. Sigurisht, nëse do të pranonte Shqipërinë, bashkë me bonuse, do të përfitonte sa 1/3-ta e këtyre pretendimeve. Ndërsa, sa i përket Panuçit, sigurisht që është i tërhequr nga Shqipëria, që tashmë ka marrë emër pas Europianit në Francë, teksa është i dyzuar për faktin se edhe dy klube të Serisë A e kanë kontaktuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *