20 vite më parë, kur Didier Deshamp ngrite në qiell Kupën e Botës për herë të parë për kombëtaren e Francës, Kilian Mbape, lojtari më i mirë i ri i turneut Rusi 2018, dhe një nga udhëheqësit e “gjelave”, ende nuk kishte lindur. Do të lindte vetëm pak fare më vonë në Bondi.
Franca, 20 vitë më pas, prezantohej në startin e Botërorit si kombëtarja e dytë më e re e këtij Botërori, vetëm pas Nigerisë, duke fituar me meritë të plotë kupën. Duke treguar që kur ka talent, kur ke në dispozicion një bateri të jashtëzakonshme kampionësh, karta identitetit është vetëm një numër dhe asgjë më shumë…
Mbape do të mbushë 20 vjeç dhjetorin e ardhshëm. Dhe, të bën habi të shohësh një lojtar kaq të ri – që dy vjet më parë kur Franca mbërriti në finale Europiani nuk ishte as në skuadrën e parë të Monakos – vendimtar në mënyrë kaq të rëndësishme për fatin e skuadrës. Arriti në mënyrën më domethënëse Pele në Suedi, në vitin 1958, por kurrë një futbollist kaq i ri, edhe më i ri, në Europë, nuk kishte lënë gjurmë. Bëri mirë edhe Bergomi në vitin 1982, por këtu jemi në një tjetër planet.
Në ditën kur Kristiano Ronaldo zbarkoi në Torino, “Luzniki” i Moskës ka shpjeguar edhe njëherë se cili mund të jetë pasardhësi i tij. Nga posteri në dhomë me CR7 te frymëzimi dhe shembulli që ndoqi, tani Mbape e sheh veten shumë shkallë më lart, me hapa galopantë, ashtu si në fushë.
Madje, 19 vjeç, Mbape ka shkuar edhe më tej se sa kaq, duke u bërë protagonist në Botëror dhe ngritur trofeun. Që CR7, apo kushdo tjetër, me përjashtim të Pele, nuk e ka arritur.
Por, duke lënë mënjanë Mbape, Franca e Deshampit është tashmë jo vetëm një realitet, por edhe një kombëtare që ka mundësi të koleksionojë trofe edhe në eventet në vijim, me një grup të rinjsh.
Nëse shkon të shohësh moshën, atëherë befasohesh:
Mbape: 19 vjeç
Dembele: 21 vjeç
Hernandez: 22 vjeç
Pavard: 22 vjeç
Mendi: 23 vjeç
Umtiti: 24 vjeç
Varane: 25 vjeç
Pogba: 25 vjeç
Fekir: 24 vjeç
Toliso: 23 vjeç
Kimpebe: 22 vjeç
Lemar: 22 vjeç