“20 vite karrierë, kurrë si këto 2 muaj”! Andi Lila tregon vuajtjet e futbollistit dhe flet për bamirësinë: Nuk i publikojmë emrat!

Andi Lila ka treguar për “Top Channel” vështirësinë e madhe të periudhës së karantinës, ndërsa futbollistët nuk mund të stërviten normalisht, pasi aktiviteti mbetet ende i mbyllur. Lojtari i Tiranës është shprehur se nuk ka qendruar ndonjëherë kaq gjatë pa stërvitje në 20 vite karrierë. Gjithashtu është folur për një nismë shumë të bukur që është marrë nga ana e Lilës me Sindikatën e Futbollistëve Shqiptarë, për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë gjatë kësaj kohe.

“Ne si Sindikatë kemi marrë nismën që të ndihmojmë futbollistët dhe ish-futbollistët në nevojë. Ne kemi marrë kërkesa dhe kemi krijuar një fond minimal dhe dinjitoz për t’i ardhur në nevojë. Kjo është kohë e vështirë dhe shpresojmë që të mos zgjasë shumë. E kemi organizuar këtë nismë humintare pasi kishte vërtet nevojë, por nuk i kemi bërë publik emrat e tyre.

Duke qenë se futbollistët kanë qenë të izoluar, është një problem i madh për ta. Unë kurrë nuk e mbaj mend veten time që në 20 vite karrierë të rri 2 muaj pushim fare. Sigurisht që ne bëjmë ato ushtrimet tona me mundësitë që kemi, por është shumë e vështirë. Shpresojmë që me nisjen e sezonit të kemi një periudhë kohore për dy javë që të përgatitemi, pasi ndryshe do të ketë probleme fizike. Gjithçka duhet të jetë graduale, edhe rinisja e sezonit”, u shpreh Lila. /Sport Ekspres/