Kastrioti dhe Erzeni janë ndarë në një barazim 2-2 në ndeshjen e sotme, e cila ishte me dy tablo. Pjesa e parë foli për Erzenin, që shënoi dy herë në portën kundërshtare. Fillimisht me Asanin në minutën e 4-t dhe më pas me Kapllanin në minutën e 33-të. Por Kastrioti u kundërpërgjigj në fraksionin e dytë të lojës, kur barazoi rezultatin me anë të Stojanoviçit dhe të Grecës. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol“ në “Oversport”.
Mema (Kastrioti): “I kishim organizuar shumë mirë manovrat sulmuesie dhe mbrojtëse. Më vjen keq për mënyrën se si pësojmë gol nga ndeshja në ndeshje. Më vjen keq edhe për shpërdorimin e ndeshjeve. Në ndeshje ke 2-3 raste dhe duhet të fitosh ndeshjen. Sidomos kur e ke superuar kundërshtarin, që kishte rënë fare. Ndeshja më pëlqeu, në mënyrën se si ekzekutoi ekipi. Por futbolli ky është. Ky rezultat më jep shpresë, më tepër për lojën se sa për rezultatin“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/