Në gjashtë muaj, duke nisur nga turi i dytë i Europa League, më 29 qershor, skuadra e Dajës ka zhvilluar 27 ndeshje, pra 6 në muaj, duke hequr kështu grumbullimet e kombëtares
Anton Cicani
Diferenca mes Skënderbeut dhe rivalëve në kampionatin shqiptar nuk është vetëm në organikë, në financa dhe në pikë, por sidomos edhe në aspektin atletiko-fizik. Sepse, nëse bëhet një vrojtim i thjeshtë i ndeshjeve që ka zhvilluar skuadra e Dajës, atëherë shifra është e frikshme: praktikisht, skuadra korçare është një “xhiro” më shumë se sa skuadrat e tjera në Superligën shqiptare dhe, nëse bëhet krahasimi me Partizanin, atëherë më shumë se një fazë. Janë plot 11 ndeshje më shumë në këmbët e futbollistëve bardhekuq, në krahasim me ato të kuq.
Në tërësi, duke u nisur nga data e “startit” të sezonit, 29 qershor 2017, kur edhe zbriti në fushë ndaj San Zhulias në turin e dytë kualifikues të Europa League, skuadra e Skënderbeut ka koleksionuar 27 ndeshje (12 në kampionat, 11 në Europa League dhe 2 në Kupën e Shqipërisë), ndërsa skuadra e Partizanit vetëm 16 ndeshje nga data 29 qershor, kur luajti përballë Botev Plovdivit dhe u eliminua, duke pasur kohë të riniste një përgatitje të dytë. Në gjashtë muaj, duke hequr grumbullimet e kombëtares, pra më shumë se një muaj (përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, përgatitjet për ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italisë, përgatitjet për miqësoren me Turqinë), në tërësi janë thuajse 6 javë që i hiqen gjashtë muajve, duke ngushtuar kështu rrezen në vetëm 4 muaj e dy javë dhe duke “e detyruar” ekipin korçar të luajë të paktën 6 ndeshje në muaj.
Në sulm – Por, ajo që ka rënë në sy në supersfidën e djeshme është që pas minutës së 65-të, skuadra e Ilir Dajës, edhe pse vinte nga një sfidë e vështirë dhe e rëndësishme përballë Dinamo Kievit, të enjten e shkuar, duke shtuar edhe ngarkesën e marrë me 11 ndeshje më shumë, ka sulmuar dhe detyruar skuadrën e Partizanit që të mbrohet. Praktikisht, duke rrezikuar edhe portën e Hoxhës. Këtë e evidentoi edhe trajneri Ilir Daja. Madje, përveç Vangjelit, që mungoi, në fushë ishin ata futbollistë që kanë luajtur 95% të ndeshjeve deri tani, si Orges Shehi (25 ndeshje), Marko Radas (23 ndeshje) dhe Gjergj Muzaka (25 ndeshje). Soue ka shumë më pak, vetëm 17 ndeshje, pasi erdhi vetëm në fund të merkatos verore. Praktikisht, një meritë të madhe në këtë aspekt e ka ish-përgatitësi fizik, Ilir Selimi, që tashmë është në Kosovë, te Liria bashkë me Shkëmbin trajner,por që punoi gjatë verës.
Futbollistët më të aktivizuar
Muzaka 25 ndeshje
Shehi 25 ndeshje
Vangjeli 24 ndeshje
Radas 23 ndeshje