Kosova po vazhdon me suksesin në Lojërat Olimpike që po zhvillohen dhe së fundmi ishte radha e Nora Gjakovës që të vishej me medaljen e artë. Më herët ishte Distria Krasniqi që kishte arritur të njëjtin sukses duke shkuar kështu në dy medalje ari për Kosovën, që nuk kalon më shumë se dy milionë banorë sa i përket popullsisë. Por kush është çelësi i suksesit? Pa i hequr meritat trajnerëve dhe stafit që ka përgatitur sportistët, nga ana tjetër edhe shumat monetare janë motivim i madh.
Sipas raportimit të medias në Kroaci, “24sata.hr”, Kosova shpërblen më tepër se të gjitha vendet e Ballkanit për këto arritje. Kështu në Kosovë sportistet si Distria dhe Nora do të marrin nga 100 mijë euro secila. Më pas vjen Serbia që jep 70 mijë euro për një medalje olimpike. Ndërkohë shumën më qesharake e jep Bosnja Hercegovina, vetëm 2300 euro. /Sport Ekspres/