Tirana zbavitet me Shënkollin, Ze Maria: Tani nis kampionati ynë

Bardheblutë fitojnë 4-1 me ekipin nga Lezha. Shënojnë tre të rinj, Bardhi, Cake e Muçi. Diferenca shkon në plus dy me Bylisin

Olsi Avdiaj

Baby-Tirana! Kështu, mund të konsiderohet fitorja e djeshme e ekipit bardheblu ndaj Shënkollit. Me tre gola të të rinjve, Cake, Bardhi e Muçi, skuadra e Ze Marias ia del të marrë tri pikët me lezhjanët. Por jo vetëm kaq. Në një ndeshje pa shumë histori, ata që shkëlqejnë janë të rinjtë e Tiranës, të cilët shënojnë tre nga pesë golat e ndeshjes, ndërsa Shënkolli shënon dy gola, por një në portën e Likës, e tjetrin te porta e vet. Një ndeshje, që qetëson Tiranën, e cila shton diferencën nga vendi i dytë në renditje për këtë fazë të tretë.

Ze Maria: Tani nis kampionati për Tiranën
Në fund të ndeshjes, trajneri i Tiranës, Ze Maria u duk i kënaqur me fitoren e arritur. Braziliani pranoi se Baby-Tirana” është gati për të qenë një skuadër e dytë, veç titullarëve. Trajneri i bardhebluve foli edhe për fazën e tretë të Kategorisë së Parë dhe çfarë pret nga skuadra e tij këto tetë ndeshje.

Ndeshja – “Skuadra luajti mirë, futboll të bukur edhe pse ishim me forca të reja. Të gjithë lojtarët e rinj kanë shënuar dhe do të thotë se janë në rrugën e duhur. Duhet të vazhdojmë kështu, pasi nuk kemi më kohë për gabime. Çdo ndeshje tani është një finale”.

Avantazhi – Nuk ndryshon asgjë dhe këtë e dimë shumë mirë. Me Pogradecin kemi luajtur dy ndeshje të vështira. Edhe golat e shënuar më parë janë histori të harruara. Tani luhet gjë tjetër. Ne respektojmë të gjitha skuadrat, që kanë mbetur në grupin tonë për tu ngjitur në Superiore. Nga tani e deri në fund të kampionatit, do të imponojmë ritmin tonë.

Çelhaka – E futa për ta parë në atë pozicion, por edhe pse është anësor, bëri mirë. Karabeci i kishte luajtur të gjitha ndeshjet dhe e lashë pushim. Fola me të dhe është normale, pasi e meriton. Është shembull për të gjithë.
Rreziku Nuk rrezikuam asgjë me të rinjtë. Të gjithë mund të luajnë titullarë, pasi kanë personalitetin për ta bërë këtë gjë, ndonëse janë të rinj. Pamë Nestin, Klismanin, që hynë dhe shënuan gol. Duhet të kuptojmë, se ata duhet të jenë pjesë e grupit. Ta vlerësojnë peshën e fanellës, por nëse janë këtu, e meritojnë të luajnë.

Gjykimi – Nuk kam folur, as kur na kanë dëmtuar. Ishte gjykim normal. Nuk kërkojmë favore nga askënd. Duam që të kemi drejtësi për të dyja palët. Nuk i ngremë as në qiell dhe as i kryqëzojmë”.

Faza e tretë – Do të jetë një fazë e tretë shumë e vështirë, pasi çdo ndeshje është finale. Nuk mund të bëjmë asnjë gabim në asnjë rast. Luajmë jashtë, më pas dy ndeshje brenda dhe e fundit luhet jashtë. Duhet të marrim sa më shumë pikë. Nëse marrim tre pikë në transfertë, për mua gjithçka është OK. Brenda fushe jemi të pakapshëm, edhe pse kemi humbur një ndeshje.
Sentamu Është lojtar shumë i mirë. Kur luan në qendër të sulmit bën akoma më mirë se në krah. Të shohim, kam një problem luksi, sepse edhe Majkëlli luan shumë mirë në atë pozicion. Sa për Dokën do të jetë gati vetëm ndeshjen e parë të kthimit për të luajtur, ndërsa për Binguilën nuk di ç’të them. Jam duke pritur nga klubi një përgjigje. Sa për Mugunën dhe Musën. luajtën mirë dhe po rriten edhe pse mund të gabojnë. Kanë nevojë për stimuj dhe besim. Këtë po mundohem tu jap.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *