Thaçi, kosovari që po bën të “harrohet” Bernard Berisha te Besa

Mesfushori kosovar me tipare sulmuese u evidentua si talent sezonin e shkuar te kavajasit

0

Fatmir Efica

Mes shumë lojtarëve kosovarë që kanë luajtur te Besa e Kavajës gjatë 10-15 viteve të fundit, Bler Thaçi, që erdhi në skuadrën verdhezi në janarin e 2018-ës, konsiderohet tashmë si një talent. Madje kanë nisur ta krahasojnë me Bernard Berishën edhe prej karakteristikave shumë të ngjashme e të fizikut shtatshkurtër, shkathtësisë e shpejtësisë me dhe pa top. Por, mbi të gjitha prej klasit të lartë teknik e përshtatjes efikase taktike me lojën e grupit.

TALENTI – Nuk i ka mbushur akoma 18 vjeç (datëlindja 04.08.1999), por kjo se ka penguar Bler Thaçin të konsiderohet një talent i madh në radhët e skuadrës kavajase. Në fillim, kur erdhi te Besa, u duk sikur s’ta “mbushte dhe aq syrin”. Por, në 9 ndeshje që u aktivizua gjatë gjysmës së dytë të sezonit të fundit, ish-futbollisti i KEK-ut nga kryeqyteti kosovar Prishtinë, dhuroi spektakël me lojën e tij. Madje shënoi edhe tre gola shumë të bukur. Veçanërisht i paharruar ka mbetur goli në ndeshjen e fituar në javën e parafundit ndaj Vllaznisë B në Kavajë në fitoren 3-1 kur “uli në gjunjë” tërë mbrojtësit e portierin kundërshtar dhe realizoi një “eurogol” për nga manovrimi fantastik i driblimeve deri te gjuajtja fluturimthi e gjitha një klas më vete. Pjesë e talentit të këtij futbollisti, ndonëse është “mëngjarash” luan në të djathtë si mesfushor i avancuar, gati thuajse bën sulmuesin e deklaruar në këtë linjë dhe spikat me mjeshtërinë e harkimeve të topave dhe inkursionet individuale. Për këtë stil loje, talenti i ri kosovar në Kavajë kanë nisur të krahasojnë me Bernard Berishën që pasi kreu një afirmim të shkëlqyer te Besa u transferua e dha kontribut të madh, për më shumë se dy vite te Skënderbeu deri sa u transferua në kampionatin e Superligës ruse.

KONTRATA – Edhe për Bler Thaçin, sikurse për sulmuesin me përvojë Armand Pasha, kontrata aktuale që ka te Besa është deri në qershorin e 2019-ës. Për Thaçin, ndryshimi qëndron te fakti se ka si opsionin rinovimin e saj. Kavajasit kanë nisur në fakt të ndjekin një politikë më largpamëse në lidhje me talentet e ndryshme që janë pjesë e Besës si nga fidanishtja e akademisë kavajase, por dhe lojtarë të tjerë siç është rasti i kosovarit Bler Thaçi, që konsiderohet si një “xhevahir”. Duhet thënë se Thaçi erdhi të Besa në një kohë me kosovarin tjetër Fatjon Bushati nga skuadra “Ballkan” e Suharekës. Por ky i fundit nuk arriti të ngrinte nivelin e lojës së tij në ato parametra që nevojiten dhe mendohet paraprakisht se nuk do të jetë më pjesë e sezonit të ri.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.