Speciale/ Të sfidosh Maqedoninë me shijen e stolit, Kosova e luan Europianin në momentin më të keq

Pas super paraqitjeve në fazën kualifikuese të Euro 2020 dhe atyre nëLigën e Kombeve, përfaqësuesja e Kosovës do të provojë shanset e saj për ëndrrën kualifikim muajin e ardhshëm. Dardanët do të udhëtojnë më 26 mars drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të luajnë gjysmëfinalen kundër vendasve për të kërkuar një biletë në Europianin që do të zhvillohet në verë.

Por si për të mos mjaftuar fakti se do të luajnë përballë tifozerisë kundërshtare, një problem i shfaqur është edhe forma në rënie e lojtarëve. Gardiani i portës së Kosovës, Arianet Muriç u bë kohë e gjatë që kur ka luajtur titullar me ekipin e tij, teksa është parë për herë të fundit në portë që në muajin gusht. Për të kaluar më pas në repartin e mbrojtjes, ku Kololli ka humbur vendin e të përhershmit me Zyrihun, ndërsa Aliti aktivizohet në një kampionat që nuk ka nisur ende, çka e bën të vështirë arritjen e formës më të mirë në muajin e ardhshëm.

E njëjta gjë si Aliti vlen edhe për Herolind Shalën, ndërsa emra si Hadërgjonaj, Kryeziu, Muslija apo Voca kanë pasur luahtje në formacion dhe janë detyruar të provojnë shpesh stolin. Gjithashtu edhe Celina nuk po kalon një sezon të mirë me Swansea në kategorinë e dytë angleze, duke humbur shkëlqimin e mëparshëm.

Sa i përket sulmit, Muriqi dhe Rashica janë të padiskutueshëm në fushë për skuadrat e tyre, por gjendja të cilën klubet ndodhen duket se ndikon edhe te këta sulmues, që klasi nuk u mungon aspak. Plot 7 ndeshje pa gjetur rrugën e rrjetës për Muriqin dhe 1 gol në Kupën e Gjermanisë gjatë 9 ndeshjeve të fundit për Rashicën flasin qartë se gjendja për sulmin dardanas nuk është e njëjtë si më parë. Ndërkohë një emër i rëndësishëm si Zeneli është rikthyer nga dëmtimi i gjatë, por vështirë duket të jetë në formën e tij më të mirë më 26 mars.

E parë kështu situata është përmbysur tërësisht për përfaqësuesen e Kosovës në momentin kur më pak e dëshironte, teksa në vetëm 1 muaj i pret Maqedonia e Veriut në përballjen që mbart me vete edhe ëndrrën kualifikim./Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *