Po rikthehet më i fortë, Myrto Uzuni gjen sërish golin te Lokomotiva e Zagrebit

Myrto Uzuni po krijon vazhdimësi me golin te Lokomotiva e Zagrebit, pasi ka arritur të gjejë sërish rrugën e rrjetës në ndeshjen miqësore që ekipi i tij fitoi me shifrat 1-2 ndaj Sibenikut. Këta të fundit luajnë në Kategorinë e Parë në Kroaci, ku udhëheqin të vetëm, pasi kanë arritur të shkëputen me diferencë pikësh nga kundërshtarët. Gjithashtu ekipi i Sibenikut vinte në këtë ndeshje pas 6 fitoreve rresht.

Ndërkohë, kujtojmë se Uzuni u rikthye te goli me skuadrën e Lokomotivës katër ditë më parë kundër Rijekës pas një periudhe kohe pa shënuar. Ndërsa me golin e sotëm, megjithëse i shënuar në miqësore, po tregon se është duke u kthyer edhe njëherë në formë të mirë dhe se mund të përsërisë sezonin e shkuar, ku e ndihmoi jo pak ekipin tij me realizimet në portën kundërshtare dhe me pasimet për gol./Sport Ekspres/