“Partizani është pjesë e zemrës sime”, ish-futbollisti elozhe tifozerisë së kuqe: Të vetmit që mbushnin stadiumet

Dikur ka mbajtur veshur fanellën e Besës dhe të Partizanit, ndërsa sot mban një post shumë larg të shkuarës së tij në futboll, duke qenë drejtor i spitalit të Kavajës. Bëhet fjalë për Përparim Daiun, i cili ka qenë i ftuar ditën e sotme në emisionin “Faz Zone” në “Supersport”. Ish-futbollisti që ka mbrojtur edhe ngjyrat e flamurit kuqezi është ndalur të flaësë për gjendjen e qytetit të tij të lindjes, Besës, për të cilën shprehet se është shumë larg vendit që i takon.

Gjithashtu nuk mund të linte pa kujtuar edhe kohën kur luante për një nga klubet më të mëdha në Shqipëri si Partizani, që si edhe ai vetë thotë është pjesë e zemrës së tij. Daiu vlerëson pa masë tifozerinë e kuqe dhe thotë se gjithnjë dinin si të krijonin atmosferë në stadium dhe se nuk i linin shkallët bosh, por ishin gjithnjë të pranishëm për të mbështetur skuadrën e Partizanit.

Situata e Koronavirusit si drejtor spitali
“Kjo është një situatë që nuk është përjetuar më parë, por më bën krenar që në spital jemi në krye të detyrës për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”.

Gjendja e Besës
“Në futboll Kavaja nuk është e qetë dhe Besa që i ka dhënë ton kampionatit shqiptar, nuk është atje ku duhej të ishte dhe qarkullon në ujëra të turbullta. Rezultatet e fundit dhe një stadium që ka qenë një nga më të mirët, ka degraduar në një gjendje shumë të keqe“.

Rikthimi në botën e futbollit
“Patjetër që mendoj rikthimin, pasi atij sporti i kemi dhënë jetën. Në një moment të dytë mund të rikthehem të merrem sërish me futboll“.

Periudha te Partizani
“Ky klub është pjesë e zemrës dhe e jetës. Ishte familja e madhe, me drejtues që nuk i gjeje në ekipe të tjera. Në çdo vend të Shqipërisë ka tifozë të Partizanit që na përshëndesin. Kam kujtime shumë të mëdha, gjë më të bukur nuk ka. Partizani ishte nga të vetmet ekipe që kishte shumë tifozë në stadium. Emocionet ishin të jashtëzakonshme. Kur shënoje golin atmosfera e bukur vazhdonte edhe më pas. Tifozët e Partizanit janë më të mirët që kam pasur në karrierë”.

Kombëtarja Shqiptare
“Në atë kohë fatkeqësisht ishim pjesë e tranzicionit. Ka qenë një super ekip. Ka pasur lojtarë shumë të mirë. Një si Sulejman Demollari nuk e gjen dot te Kombëtarja për shkak të krijimtarisë”, është shprehur Përparim Daiu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/