Në Greqi hedhin tezën: Shqipëria është shembull, të marrim me ta Botërorin ose Europianin

Në vitet e fundit ka pasur një rritje të madhe sa i përket investimeve në terrenet sportive kur flitet për futbollin shqiptar. Sigurisht që pika kulmore arriti me “Air Albania” e inaguruar në ndeshjen ndaj Francës. Për të folur për krahasimet e bëra nga mediat e huaja dhe ngjashmërinë me arenat e njohura europiane, është një temë e konsumuar.

Por një ide tërësisht e re vjen nga Greqia. Media “Voria.gr” e ka ngritur në qiellin e shtatë “Air Albania”, duke përshkruar me saktësi këtë arenë. Gjithashtu në artikull thuhet se stadiumi në fjalë i përket kategorisë së katërt, pra njëkohësisht edhe niveli i fundit i UEFA-s ku mund të luhen ndeshjet e “Champions League” apo “Europa League”.

Për të vazhduar më tej, ”Voria.gr” e cilëson Shqipërinë si një shembull për t’u ndjekur nga të tjerët, pasi ka arritur të ndërtojë një arenë të tillë vetëm brenda 3 vitesh, kur nisën edhe punimet në “Qemal Stafa”. Një pikë interesante dhe që lë vend për t’u diskutuar, është teza që hidhet nga media greke.

Kjo e fundit shkruan se së bashku me Shqipërinë dhe disa shtete të tjera, mund të tentohet organizimi i Europianit dhe Botërorit për vitet në vazhdim. Duke parë që FIFA dhe UEFA po i organizojnë këto kompeticione pikërisht në këtë mënyrë, duke e shtrirë një eveniment të tillë në shumë shtete përgjatë një edicioni, “Voria.gr” shkruan:

“Greqia, Serbia, Rumania dhe Bullgaria mund të bashkohen gjithashtu në një ofertë të përbashkët për një ngjarje madhore, përkatësisht në Euro 2028 ose Botërorin e 2030, e cila për publikun është një ëndërr mbi ëndrrat pavarësisht kohëzgjatjes. Megjithatë, në këtë rrugë, duket Shqipëria se është ajo që e drejton në mundësimin e qytetarëve të saj që të shikojnë të ardhmen e vendit me një optimizëm më të madh”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/