Musolli, “zotëria 200”: Ja 6 sezonet si “kuksian”

0

Mesfushori i Kukësit: Pengu që kemi të gjithë është arritja e grupeve të Europa League-s, arritjet më të mëdha Kupa, Titulli dhe përfaqësuesja e Kosovës

Jurgen Zela

Plot 200 ndeshje me Kukësin, vërtet shumë: kjo është shifra që Besar Musolli do të arrijë në ndeshjen me Luftëtarin. Mesfushori i lindur në Podujevë është një nga ikonat e klubit të Kukësit, pasi luan sezonin e tij të 6 me Kukësin dhe pa diskutim është diçka që ndodh shumë rrallë. Kush e njeh nga afër mund të listojë shumë virtyte të Musollit, por në fushë të gjithë mund të veçojnë përkushtimin e tij dhe ta veçojnë si personi punëshumë dhe fjalëpak. Nesër është ndeshje e veçantë, ashtu siç ka qenë dhe 26 gusht të 2012 kur Besar Musolli debutonte për Kukësin, në minutën e 70-të, duke zëvendësuar Ylli Hoxhën në barazimin 0-0 me Luftëtarin në Kukës, ndeshjen e parë të Kukësit në Superiore. Pikërisht ndaj Luftëtarit vjen dhe ndeshja e 200-të, çka e bën dhe me të veçantë. Për “Supersport” mesfushori ka folur para ndeshjes së veçantë, teksa fillimisht tregon emocionet për këtë përballje: “Normalisht jam shumë i lumtur për këto 6 vite të Kukësi. Kemi kaluar shumë sakrificë, momente të mira, por më shumë momente tëi vështira. Më ka rastisur që të debutoj me Kukësin në një ndeshje me Luftëtarin dhe luaj ndeshjen e 200-të kundër Luftëtarit. Po ashtu, kemi festuar titullin kampion po në Gjirokastër vitin e shkuar”.

Para tij është vetëm Rraman Hallaçi, i cili tashmë është ndalur në numrin 213 dhe Musolli ka potencialin për ta kaluar, por 29-vjeçari ka fjalët më të mira për ish-kapitenin e Kukësit: “Për Hallaçin kam respekt shumë të madh. Ndjej kënaqësi nëse e kaloj, por për mua ai është ikona e klubit të Kukësit”.

Kupa ishte trofeu i parë i madh i Kukësit dhe të gjithë e mbajnë mend atë vrapim të Besar Musollit, pasi realizoi 11-metërshin e fundit. Ndër shumë momente suksesi, mesfushori tregon për momentet e veçanta si “kuksian”: “Me këtë klub kam arritur që të fitoj të gjitha çmimet që e bëjnë një futbollist të ndihet i lumtur dhe kjo është me veçanta nëse mund të them kështu. Pengu që kemi të gjithë është arritja e grupeve të Europa League-s. Kujtoj finalen e Kupës së Shqipërisë, me trajnerin Klodian Duron dhe shumë lojtarë që nuk janë më. Më pas fituam titullin që ishte ndjenjë shumë e veçantë, me trajnerin Ernest Gjoka. Edhe fillimit kanë qenë shumë të mira”.

Shumë e vështirë për një lojtar që të qëndrojë në një skuadër për shumë vite, por zëvendëskapiteni i Kukësit tregon sekretin: “Jam ndjerë mirë, kam kaluar mirë me të gjithë, po ashtu dhe me presidentin që ka meritë të veçantë. Jam ndjerë vetja këtu”.

Nga Kukësi te përfaqësuesja e Kosovës, normalisht që është një sukses si padiskutueshëm. Musolli ka luajtur në një ndeshje si titullar me Kosovën dhe nuk nguron të tregojë se është një sukses shumë i madh për të: “Kulmi për një futbollist është që të përfaqësojë vendin e tij dhe për mua është një kënaqësi e madhe që kam arritur të jem pjesë e Kosovës. Futbolli është një jetë e shkurtër për një futbollist, ndaj mundohemi ta jetojmë thjeshtë pasi pas disa vitesh do përfundojmë dhe ajo që mbesin janë kujtimet e shokët. Duhet të jesh sa më i thjeshtë në jetë, të kesh respekt për të tjerët, për kundërshtarin, mbaj regjim, puno fort dhe suksesi nuk do mungojë”. 29-vjeç dhe me shumë vite të tjera për të dhënë për futbollin, Musolli tregon objektivat e tij personal, por dhe me “dashurinë” Kukës: “Individualisht dua të kem performancë sa më të mira dhe sa më të gjatë ndërsa me skuadrën të arrij grupet e Europa League-s”. Nga Luftëtari te Luftëtari, 200 ndeshje dhe një histori suksesi nga puna dhe përkushtimi. 175 ndeshje si titullarë, por edhe diçka i mungon, një gol në kampionat ende nuk e ka shënuar, megjithatë ajo që ka dhënë Musolli për Kukësin në këto 6 vite është më shumë se një apo më shumë gola.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.