Besar Musolli luan që prej ngjitjes së Kukësit në Superiore, duke qenë futbollisti më besnik i verilindorëve. Mesfushori nga Podujeva është dhe zëvendëskapiteni i Kukësit dhe është një nga lojtarët më të dashur për tifozerinë kuksiane.
Do të jetë një ndeshje e veçantë për 29-vjeçarin, takimi i cili do të zhvillohet në Baku ndaj Karabakut. Musolli do të thyejë një rekord dhe do të barazojë një tjetër në sfidën ku verilindorët do të kërkojnë kualifikimin historik në Champions.
Mesfushori me tipare shkatërruese do të bëhet lojtari me më shumë prezenca në skuadrën e Kukësit, së paku nga periudha që luan në Superiore, pasi do të jetë prezenca e 216-të në të gjitha kompeticionet. Një sukses i jashtëzakonshëm për vetë lojtarin, i cili është një nga simbolet e Kukësit. Deri më tani rekordi është mbajtur nga ish-kapiteni Rraman Hallaçi, i cili e ka mbyllur me futbollin e luajtur dhe tani ka rolin e zëvendëstrajnerit.
Rekordi i dytë është ai i prezencave në Kupat e Europës. Edhe në këtë “garë” ka qenë Hallaçi, ai i cili ka mbajtur këtë rekord me 21 takime të luajtura. Musolli do të luajë ndeshjen e 21-të ndaj Karabakut dhe më pas një javë më parë ka mundur që të thyej këtë rekord, pasi edhe nëse Kukësi nuk e kalon Karabakun, skuadra do të zhvendoset në Europa League.
Musolli do të ketë takim me historinë në Baku, pasi do të thyejë dy rekorde, dhe në të ardhmen do të jetë shumë e vështirë që ta arrijë dikush tjetër, pasi planet e mesfushorit janë që të vijojë punën me Kukësin edhe në vazhdim. Pas 29-vjeçarit dhe Hallaçit lojtari e tretë me më shumë prezenca është kapiteni Ylli Shameti.