“Maxi Lopez ishte zotëri”, babai i Wandës sulmon Icardin: Po provokon hapur, sillet si babai kur nuk është

Lidhja e Mauro Icardit dhe Wanda Naras është shoqëruar që prej fillimit me shumë Kritika. Veprimi i sulmuesit argjentinas nuk ishte aspak i hijshëm, pasi u lidh me gruan e shokut të tij. Një gjest që do e kishte lënduar çdokënd dhe këtu nuk bën përjashtim asa babai i Wandas. Andres Nara i del në mbrojtje Maxi Lopezit në një intervistë të dhënë së fundi, teksa shprehet se ka qenë përherë një zotëri, ndërsa për Icardin thotë se nuk i pëlqeu ajo që ndodhi.

Madje një tjetër gjë që nuk i pëlqen te argjentinasi është se sillet me fëmijët e Maxit sit ë ishte babai i tyre, duke e provokuar kështu hapur ish-shokun e tij. Ndërkohë marrëdhënia me Wandan nuk është aspak e mirë dhe kjo shihet edhe te fakti se Andres nuk dëshiron ta ftojë vajzën e tij në dasmën që do të organizojë së shpejti. Sipas tij duhet që në fillim të flasin së bashku e të njohë mbesat e tij, pasi përndryshe ftesa në dasmë nuk ka kuptim.

“Unë nuk luaj në favor të askujt, por më pëlqen të jem gjithmonë në anën e së vërtetës. Me Maxin kurrë nuk kam pasur probleme, përtej problemeve me vajzën time që u bënë të njohura edhe për publikun dhe me të cilat kurrë nuk jam pajtuar. Por ai ishte gjithmonë një zotëri.

Nuk mund të flas shumë për Mauron, sepse kurrë nuk kam pasur një marrëdhënie të mirë. Në fillim nuk më pëlqeu ajo që ndodhi mes tij dhe vajzës sime, por më pas e kuptova dhe e lejova. Sot ai ka dy vajza të bukura dhe me djemtë ai sillej sikur të ishte baba por ai nuk është babai, babai është Maxi. Mauro e ka provokuar hapur Maxin.

Wandan nuk do e ftoj në dasëm për arsye se ende nuk i njoh vajzat e saj dhe për shkak të atyre debateve që kurrë nuk i kam kuptuar. Nuk mendoj se është e nevojshme që ajo të justifikohet, pasi ajo duhet të bisedojë me mua për të shtruar problemet që kemi. Nuk më intereson të flas me Icardin, por dua të flas me të dhe të shoh se çfarë mendon”, ka thënë Andres Nara./Halit Delibashi-Sport Ekspres/