Qendërmbrojtësi ka kryer vrapime të lehta, kurse Shqipëria U20 ka grumbulluar dy nga të rinjtë e kurbinasve
Laçi mbylli fazën përgatitore ditën e mërkurë dhe tanimë kurbinasit po përgatiten me nga një seancë në ditë. Trajneri Gentian Mezani po mendon për ndeshjen me Kamzën në transfertë dhe nesër do të ketë mundësinë të shohë edhe njëherë skuadrën e tij në aksion, pasi do të zhvillojnë një miqësore me Lirinë e Prizrenit. Gjatë ditëve të fundit radhët e ekipit kurbinas janë shtuar, pasi mesfushorët Maikon Eskerda dhe Kejvi Bardhi janë përgatitur me grupin, ashtu si edhe sulmuesi Rexhinaldo, i cili nuk ka luajtur në miqësoret e zhvilluara kundër Dinamos dhe Kastriotit. Nesër trajneri vlonjat pritet të vlerësojë më së miri ekipin e tij dhe të vendosë “piketat” për formacionin që do të zbresë në fushë fundjavën e ardhshme.
LULAJ
Lulaj këtu, Lulaj atje. Në fakt qendërmbrojtësi 22-vjeçar, që luan mjaft mirë edhe si mesfushor qendre dhe mbrojtës i djathtë, prej kohësh e ka ndarë mendjen për të ardhmen e tij. Dëshira e tij është të veshë fanellën e Laçit, ku u aktivizua sezonin e shkuar dhe bëri shumë mirë. Lojtari i Skënderbeut nuk ishte në fazë me korçarët, kjo edhe për shkak të një dëmtimi të pësuar në muajin dhjetor. Gjatë kësaj periudhe ai ka kryer terapi intensive për të lënë pas dëmtimin e pësuar dhe ditën e sotme ka nisur vrapimet i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës së Laçit. Për rreth 10 ditë ai mendohet të jetë gati dhe të vijojë normalisht përgatitjet e të jetë i gatshëm për lojë. Së bashku me të i diferencuar ditën e djeshme ishte edhe mesfushori Regi Lushkja, të cilit mjekët i kishin këshilluar një javë pushim.
TË RINJTË
Ndriçim Shtubina është futbollisti i vetëm me eksperiencë që u afrua te Laçi në merkaton e janarit. Lojtarët e tjerë të afruar janë të rinj. Silvio Zogaj i marrë nga Luftëtari është 20 vjeç, Beqaj 19 vjeç, ndërsa Lulaj 22 vjeç. Përgjithësisht të rinjtë e afruar kanë nivel, pasi jo më kot grumbullohen edhe ekipet Kombëtare. Gentian Selmani mbron portën e Shqipërisë U21, ndërkohë që pjesë e ekipit të drejtuar nga Alban Bushi është edhe Sherif Kallaku. Pas Ded Bushit, që këtë herë nuk është përfshirë në listë për shkak të një dëmtimi, pjesë e Shqipërisë U20 janë bërë edhe dy lojtarë të tjerë. Erisildo Smaçi, i afruar në verë nga Partizani U19, do të jetë pjesë e zborit të kuqezinjve, që do të luajnë edhe dy miqësore me Azerbajxhanin në Antalia. Lojtari tjetër i ftuar është Erjon Dragoj. Sulmuesi 18-vjeçar, pjesë e Pogradecit në pjesën e parë të sezonit, është thirrur gjithashtu nga Bushi. I riu i është bashkuar kurbinasve në janar dhe ka luajtur në dy miqësoret e zhvilluara deri më tani. Dragoj ka spikatur me moshat e Pogradecit dhe tani kërkon të tregojë vlerat e tij në Superiore.
Vladimir Prenga