Kaosi i ardhur nga COVID-19, media zviceriane ngre pikëpyetje: Trajneri Shaland rrezikon të largohet nga Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës është kthyer në surprizën e futbollit në Europë dhe për këtë përpos lojtarëve në fushën e lojës, një meritë të madhe ka trajneri Shaland. Ky i fundit është arkitekti i këtij grupi të dardanëve, teksa ka ndërtuar një ekip që pak kush mund ta mendonte se do të ishte kaq pranë ëndrrës Europian. Por COVID-19 ka sjellë kaos edhe në futboll si në çdo fushë tjetër të jetës këto kohë, duke bërë që të lindin pikëpyetje edhe për vazhdimësinë e trajnerit Shaland në stolin e përfaqësueses së Kosovës.

Media zviceriane “sport.ch” ngre dyshime në lidhje me këtë temë, duke theksuar faktin se kontrata e teknikut helvet përfundon në qershorin e ardhshëm. Ndërkohë zgjatja e saj do të bëhej në mënyrë automatike në ras të kualifikimit në kampionatin Europian, por ndeshjet e Ligës së Kombeve janë shtyrë dhe ende nuk dihet se kur do të luhen sërish. Një situatë kaotike kjo që kërkon zgjidhje, ndërsa në këto kushte Shaland rrezikon edhe largimin nga Kosova, të cilën e bëri të ëndërronte deri në fund se gjithçka është e mundur në fushën e lojës ./Halit Delibashi-Sport Ekspres/