Mbrojtësi i Kamzës është kthyer në Shqipëri dhe po shkëlqen, ashtu si skuadra debutuese. Gjithçka perfekte, por nuk ka qenë gjithnjë kështu për futbollistin e pafat
Blerim Jahaj
Ivan Fushtar është një personazh mjaft interesant. Ka vuajtur shumë në karrierën e tij si futbollist, por është gjithnjë i qeshur, mik me të gjithë. Tani luan te Kamza, është pjesë e ecurisë triumfale të ekipit debutues që po habit Shqipërinë. Shqipëria nuk është e panjohur për të, ka qene edhe në Vlorë, por përjetoi një makth. “Më shkatërroi mendërisht”, thotë Fushtar për atë periudhë, kur iu desh të largohej në fund të vitit 2015, pas muajsh të tërë pa paguar. Nuk është aventura e parë e pafat për të, sepse Fushtar në karrierë ka vuajtur shumë, aq sa duket se e ndjek fati i keq.
HALLET NË SHIBENIK – Fushtar është nga Spliti, si futbollist ka nisur të bëjë rugë te Solini, qytezë pak kilometra larg Splitit. Në verën e vitit 2009 hodhi hapin e madh, sepse shkoi rreth një orë larg Splitit, sërish buzë detit, në Shibenik. Një qytet me histori, por me një popullsi të vogël, pak më shumë se 30.000 banorë. Në verë qyteti është plot jetë, por dimri është shumë i zymtë. Aty Fushtar nisi të bëhej i rëndësishëm dhe që në moshën 20-vjeçare u bë titullar. 18 ndeshje titullar sezonin e parë, u pranua nga të gjithë dhe u bë pjesë e formacionit. Sërish titullar në sezonin e dytë dhe pjesëmarrje në Europa League, ndërsa aty nisën problemet, sepse klubi nuk po paguante më. Në sezonin 2011/2012, makth i vërtetë: asnjë pagesë dhe Fushtar e vuante edhe më shumë se të tjerët, sepse kishte një kontratë modeste dhe nuk është se kishte kursyer ndonjë gjë. “Shita edhe makinën, një BMW, ndërsa më ndihmoi jo pak menaxheri. Më nxorrën nga shtëpia me qira, sepse klubi nuk kishte paguar, ndaj nisa të jetoja në familjen e të fejuarës. Nuk kisha para të paguante as detyrimet ndaj shtetit, ndërsa shokët e mi detyroheshin të dërgonin vetëm sms, sepse kontratat e numrave që u kishte dhënë klubi nuk ishin rinovuar prej kohësh”, tregon Fushtar. Në janar 2012 Fushtar, i dëshpëruar, prishi kontratën dhe shkoi te Zadari, u kthye te Shibeniku i rënë nga kategoria në sezonin 2012/13 dhe më pas dy sezone shumë të mira te Slaven Koprivnica.
MAKTHI VLONJAT – Në verën e vitit 2015, pas dy sezonesh mjaft të mira në Kroaci te Slaveni, Fushtar vendosi të provonte aventurën e parë jashtë Kroacie. E bindi oferta e Flamurtarit për të shkuar në Vlorë, aty ku premtimet ishin të mëdha. Fushtar ishte titullar, shënoi 2 gola në 13 ndeshje, por nuk mori thuajse asnjë pagë në kohën e duhur. “Ajo periudhë më shkatërroi mendërisht. Ika në dhjetor, pa u shlyer, si pjesa tjetër e skuadrës, dhe Flamurtari praktikisht e prishi skuadrën, që ishte vërtet premtuese, veç i duhej kohë, sepse ishte ndërtuar nga e para në verë. Në janar nuk dija ç’të bëja, isha i shkatërruar edhe moralisht, kisha firkë të firmosja gjëkundi, nuk ndihesha as i aftë psikologjikisht të luaja futboll”, tregon Fushtar, i cili përjetoi sërish makthet e Shibenikut, klub të cilin e paditi në Federatën Kroate për të marrë pagat. E mbylli sezonin pa luajtur më futboll, por stërvitej rregullisht, derisa në verë i doli një mundësi e mirë, në Split.
BASHKËVUAJTËS I ELIS BAKAJT – Pas një prove disaditore, në fillim të gushtit 2016 Fushtar firmosi te RNK Spliti. Kthim në shtëpi, kontratë dy-vjeçare, gjithçka perfekte, apo jo? Në skuadër me Elis Bakajn, i cili gjithashtu vendosi të provonte aventurën kroate. Një makth i vërtetë! Edhe Spliti falimentoi dhe lojtarët nuk morën asnjë pagë deri në dimër, kur nisi eksodi. Fushtar, ashtu si Bakaj, ishin titullarë, me paga të rëndësishme, ndaj vendosën të luftonin ligjërisht. Bakaj prishi kontratën me marrëveshje, për të vazhduar te Vllaznia, ndërsa Fushtar mbeti sërish në ajër, ashtu si një sezon më parë. Deri në verën e këtij viti pa ndeshje futbolli, në pritje të gjyqeve me Splitin. Erdhi ftesa e Kamzës…
KTHIMI NË SHQIPËRI – Një telefonatë nga Shqipëria: ishte Argent Halilaj. Ai, së bashku me Taulant Kuqin, kishin qenë me Fushtarin te Flamurtari dhe kur drejtuesit e Kamzës kërkonin një mbrojtës cilësor qendre, Halilaj sugjeroi Fushtarin. Pa ekip prej muajsh, por një lojtar me cilësi dhe eksperiencë. Historia me Flamurtarin nuk e frikësonte: “Shqipëria më pëlqeu kur luajta në Vlorë dhe e pranova me dëshirë kthimin. Jam profesionist, bëj punën time dhe kampionati shqiptar është goxha i fortë. Te Kamza më kanë pritur shumë mirë dhe jemi duke ecur mjaft mirë. Nuk kemi presion e synime madhore, kjo po na ndihmon”, thotë Fushtar, i cili është entuziast për sezonin që po zhvillon ekipi i tij: “Kemi ekip super, djem të mirë e trajner i zoti, i cili punon shumë. Ndreu duket i egër, por kur e njeh, nuk është ashtu. Rëndësi ka që klubi nuk po na kërkon synime më madhore se në prag të sezonit, sepse presioni i tepërt shkatërron skuadrat”.
E ARDHMJA PREMTON SHUMË – Fushtar, si shumë lojtarë të tjerë te Kamza, nuk ka kaluar pa rënë në sy të klubeve shqiptare e të huaja. Ka një kontratë me Kamzën, ndaj nuk është se po e mban mendjen te merkatoja, por nga ana tjetër është 28 vjeç dhe natyrisht çdo kontratë “e majme” është e mirëpritur. Skënderbeu e Partizani po e vëzhgojnë në Shqipëri, klube kroate i kanë dërguar ndonjë sinjal, por Fushtar nuk del hapur: “E di klubi, varet prej drejtuesve. Nëse gjejnë marrëveshjen me ndonjë klub tjetër, unë nuk jam kundër lëvizjes. Natyrisht, më duhet të shoh edhe aspektin financiar, në moshën që jam, aq më shumë që kam vuajtur pak në karrierë”. Ndoshta një aventurë në Azi? “Eh, një vit andej është sa 4 në Shqipëri e Kroaci…”, thotë Fushtar, i cili qesh, gjithnjë qesh.
Ivan Fushtar
Kombësia Kroate
Datëlindja 18 gusht 1989
Pozicioni Mbrojtës
Shtatlartësia 188 cm
KARRIERA
2009/2010 Shibenik (20 nd./0 gola)
2010/2011 Shibenik (22/2)
2011/2012 Shibenik (14/1)
2011/2012 Zadar (11/1)
2012/2013 Dugopolje (13/0)
2012/2013 Shibenik (12/1)
2013/2014 Slaven Koprivnica (28/2)
2014/2015 Slaven Koprivnica (24/0)
2015/2016 Flamurtari (13/2)
2016/2017 Split (10/0)
2017/2018 Kamza