“I kontrolloj lojtarët me aplikacion”! Orges Shehi: Gara për titull? Tani jemi bashkë, nuk është si me tërmetin

Orges Shehi ka folur për emisionin “Fan Zone”, atje ku folur për këtë periudhë ku kampionati në Shqipëri është bllokuar për shkakun e Koronavirusit. Kur pyetet në lidhje me garën për titull, trajneri i Kukësit nuk e kalon këtë gjë ndërmend, pasi flitet për një situatë më jetike. Gjithashtu lojtarët që stërviten në shtëpi, kontrollohen me anën e një aplikacioni.

“Kjo situatë është më serioze se ajo që kaluam. Me tërmetin kur mbaroj i bëje llogarinë me dëmet, por këtu nuk dihen ende. Po luftojmë me një armik të panjohur dhe goditjet të vijnë nga të gjitha anët. Unë deri tani mund të kem dalë dy herë, që nga koha kur isha me ekipin për herë të fundit.

Jo se kam frikë për vete, por për prindërit. Nuk duhet të mendojmë shumë për futbollin, por sigurisht që të kthehemi sa më shpejtë dhe më të fortë.

Tani futbollistët po stërviten me ato kushtet e tyre, unë i shoh nëpërmjet aplikacioneve. Sigurisht që nuk i vendosim kushte për oraret, por ata stërviten vetë, nuk kemi dyshime, pasi janë sportistë dhe janë mësuar me rutinën e tyre. Lufta për titull? Të flas për titull, do flasësh për konkurrent. Tani nuk ka konkurrencë, ne jemi të gjithë bashkë”, tha Shehi. /Sport Ekspres/