Shijakasit kanë nisur që tani të ndërtojnë skuadrën e sezonit të ardhshëm për të mos e diskutuar Superioren
Gleni Domi
Teksa vendi i parë i takon Kastriotit, tashmë edhe matematikisht ajo që ngelet e hapur është sfida për vendin e dytë. Shijakasit ja kanë vënë si qëllim vetes që të renditen të dytët dhe kjo nuk do të jetë e lehtë, pasi gjithçka vështirësohen pas humbjes me Egnatian. Skuadra e drejtuar nga tekniku Stojku u mund 3-1 nga rivalët direkt për vendin e dytë. Erzeni ka vuajtur jo pak gjatë gjithë sezonit, çka është përkthyer si një tjetër vit i dështuar duke mos u realizuar objektivat e vendosura në fillim të sezonit, por ajo çka duket se ky ekip ka fituar është sulmuesi Muatafa Xhixhiua. Kamerunasi nuk la gjurmë tek Partizani por me ardhjen e tij në Shijak nisi të kthehej në një pikë referimi. 22-vjeçari ka shënuar 8 gola që pas ardhjes së tij në Shijak dhe përveçse vendit të titullarit, ka fituar dhe zemrat e gjithë qytetit shijakase që njihet si mjaft sportëdashës.
RINOVIMI – Xhixhua ka nënshkruar një kontratë për një vit dhe me shumë mundësi do të jetë tek Erzeni edhe për sezonin e ardhshëm, çka e thotë edhe vetë lojtari. “Jam i lumtur këtu. Më pëlqen fakti që marr respekt nga të gjithë njerëzit si kur jam në fushë edhe kur jam rrugëve të qytetit. Kontrata më mban të lidhur me këtë ekip deri në gjysmën e sezonit të ardhshëm dhe normalisht që dua ta respektoj. Tani të flasim për aktualitetin. Pas dy ndeshjeve të mira dhe me fitore në të cilat goli im ka qenë vendimtar erdhi dhe një ndeshje si ajo ndaj Egnatias që goli im qe thjeshtë një gol nderi.
“Gjithsesi, ne jemi të fokusuar gjithmonë tek ndeshja e radhës dhe takimin e radhës do ta kemi ndaj ekipit që sezonin e ardhshëm do të luajë në Superiore. Ne duhet të luajmë futboll dhe t’i mundim, për të treguar se Erzeni ka merituar më tepër. Ndoshta takimi nuk ka vlera në aspektin e arritjeve të skuadrave por ndeshja ka brenda vlerat e veta. Ne duhet të fitojmë jo vetëm për të treguar veten por edhe për tifozët tanë. Unë i respektoj dhe i dua shumë ato. I falënderoj për këtë mbështetje që më japin. Siç e thashë do të bëjmë çmos për të fituar këtë takim”, – ka mbyllur kamerunasi 22-vjeçar i Erzenit, Mustafa Xhixhua.