Editorial/ Në Shkodër i quajnë si shkaktarë kryesor, kjo është Vllaznia para Partizanit

Entuziazëm, pozitivitet dhe fitore. Këto janë fjalët që karakterizojnë situatën e Vllaznisë në këto momente. Shkodranët të rikthyer në Superiore pas një viti “ferri” në Kategorinë e Parë, në menyrë surprizë po udhëheqin kampionatin së bashku me Bylis në kuotën e 12 pikëve pas 7 javëve të para. Kuqeblutë e drejtuar nga Mirsad Jonus kanë zhvilluar lojëra shumë të mira deri më tani. Dhe kështu duke rikthyer në kujtesë Vllazninë e madhe të para disa viteve që fitoren e kishte më se të zakonshme.

Por në Shkodër këtë fundjavë vjen një kundërshtarë me të vërtetë “special”. Kampionët në fuqi të Superligës, Partizani viziton kuqeblutë në “Loro Boricci” në kuadër të javës së 8-të të kampionatit. Është speciale sepse janë kampionët dhe Vllaznia do të vërtetojë se sa i vlen “lëkura”. Dhe është speciale sepse “demat” cilësohen në mbarë opinonin e futbollit në Shkodër si “shkaktarët” e rënies së Vllaznisë në Kategorinë e Parë para dy sezoneve.

Në qytet ndihet në “ajër” një dëshirë e madhe për “hakmarrje” ndaj 16-herë kampionëve të vendit. Jo vetëm tifozët që dihet që përfshihen nga emocionet, por edhe specialistët si edhe vetë lojtarët e Vllaznisë duken më të “karikuar” se asnjëherë tjetër për një sfidë të tillë. Serioziteti me të cilën po përgatitet një ndeshje kundër të kuqve na bën të besojmë se në “Loro Boricci” do kemi një “betejë” këtë fundjavë. Ironik duket fakti se kundër Partizanit, tifozët shkodranë do prezantohen me një grupim të ri “ultrasish”. Rastësi apo paramendim këtë nuk e dimë, por me shumë mundësi atmosfera në stadium do jetë më e zjarrtë se zakonisht.

Gjithashtu interesimi nga ana e tifozëve të “thjeshtë” është shumë i madh. Të gjithë duke pritur më kërshëri gjatë kësaj jave, ku lajmet që qarkullojnë për Vllazninë e Partizanin zënë pjesën më të madhe të muhabetit në tavolinat e shkodranëve. Absolutisht që një Vllaznia-Partizani ka qenë një “klasike” në gjithë historikun e futbollit tonë.

Megjithatë kjo sfidë e kësaj jave është më “pikantja” ndoshta e këtyre viteve të fundit. Kuqeblutë për të marrë “hakun” e për të treguar “muskujt” e tyre në këtë sezon. E nga ana tjetër të kuqtë që kërkojnë të “qëllojnë” edhe njëherë e t’iu tregojnë të gjithëve se ata janë kampionët. Ndeshje të tilla janë ato që “ndezin” kampionatin dhe me shpresën se ccdo gjë brenda korrektesës dhe me spektaklin në fushë e në tribuna në fund ti gëzohemi kësaj përballjeje.

Editorial nga Endri Çinari, Shkodër