E veçantë/ Të gjitha verdiktet e mësuara nga java e 14 në Kategorinë Superiore

Teksa kemi lënë pas javën e 14 të Kategorisë Superiore, “Sport Ekspres” ju sjell katër verdiktet e mësuara nga këto përballje që janë mbyllur mes emocioneve, por njëkohësisht edhe që kanë ndryshuar tabelën e renditjes.

  • Kukësi tregoi “fytyrën”, por e bukura do të sulmohet më shumë se kurrë

Para nisjes së këtij kampionati ishte Kukësi si ekipi pretendent për të fituar titullin kampion. Madje me shumë të drejtë duke parë përbërjen që ka e cila kulmon me Abazaj-Shkurtaj-Gavazaj dhe me Rrocën, që në rolin e tij mund të quhet më i miri në Superiore. Por pavarësisht të gjithë këtyre futbollistëve, kishte luhatje të frikshme. Rrallëherë mund të shihnim dy fitore radhazi të Kukësit, që pas një fitore e ndiqte gjithmonë hapi i gabuar. Por në përmbysjen me rezultatin 1-3 ndaj Tiranës pamë verilindorët sesi mund të shndërrohen, njëkohësisht edhe fytyrën e vërtetë të tyre ndaj një tjetër ekipi pretendent për titull. Ata kanë intepretuar ndeshjen më të mirë të kampionatit, por kujdes: “E bukura do të sulmohet më shumë se kurrë tani”. Abazaj dhe Gavazaj janë dy futbollistë që e kanë shprehur tani objektivin e tyre, që sezoni i ardhshëm t’i gjejë në një tjetër skuadër larg Shqipërisë. Gjithashtu edhe për Shkurtajn mbetet e njëjta dëshirë, megjithëse ka më pak dritë. E sa herë këmba e Kukësit do të “rrëshkas” dhe do të provohet një tjetër “krizë e vogël” siç ka ndodhur deri më tani, ndeshja me Tiranën do të jetë edhe e keqja më e madhe e të gjithë atyre lojtarëve që ishin protagonist për të shërbyer si një pasqyrë. Pra, menjëherë do të interpretohet në mënyrën se gjithçka varet në dëshirën e lojtarëve, për momentet e mira dhe të këqija që kalohen. Prandaj shndërrimi i bërë ofron shumë duartrokitje në “gjaknxehtësi”, por kërkon dyfishin e punës në “gjakftohtësi”.

  • Për ju ëngjëj! Ulërimat dhe klithmat e Shkëmbit flasin qartë, me sytë e drejtuar në qiell

Sa e vështirë ishte për trajnerin Bledi Shkëmbi që të fliste për futboll dhe stërvitje te lojtarët e tij, në atë kohë kur të gjithë njerëzit ishin të shqetësuar për familjarët e tyre që qendronin në punë dhe shtëpi, pasi lëkundjet e tërmetit nuk pushonin. Shumë viktima që janë kthyer në ëngjëj mbrojtës për familjarët e mbetur në tokë, por njëkohësisht edhe mes shumë të plagosurve që krijonin panoramën e asaj që Durrësi e kalonte futbollin në plan të dytë. Por ishte koha që ky sport të kthehej edhe për njerëzit në këtë vend, për t’iu kthyer sadopak normalitetit. Ceremonia përkujtuese para ndeshjes ishte pikërisht për të gjithë viktimat e tërmetit me sytë e drejtuar lart në qiell. E qershia mbi tortë vendoset nga një gol i Lorenzo Vilës në minutën e 89, me klithmat dhe ulërimat që nxorrën edhe Bledi Shkëmbin nga vetja për të festuar si kurrë më parë. Më shumë sesa një entuziazëm për fitoren e arritur në minutë të fundit, ishte një mënyrë e zbrazjes së emocioneve dhe panikut të mbledhur përgjatë gjithë kësaj kohe. Më në fund, klithmë gëzimi që lumturon edhe Shqipërinë vjen nga Durrësi. Atje po flitet sërish për futboll ndërsa siç tha edhe vetë trajneri kundërshtar, Daja: “Kjo ndeshje nuk kishte askënd të humbur, po flasim sërish për futboll në Durrës”.

  • Jonuz, sa mirë që erdhe! “Duart e lara” me mbijetesën, po deri ku mund të shkojmë?

Mirsad Jonuz duhet të duartrokitet nga të gjithë tifozët shkodranë dhe meriton respektin e tyre. Skuadra e ardhur nga Kategoria e Parë duket se i ka larë duart me mbijetesën që para dhjetorit. E pranuar nga fjalët e vetë trajnerit kjo, por edhe e bazuar në fakte. Një fitore në transfertë ndaj Luftëtarit që të kërcënonte më tepër në këtë drejtim, të paktën aktualisht, e lë fundin shumë larg. Sigurisht që faza e “Play Out” është aty si një hije, por që duhet të shihet…sikur nuk ekziston. Vllaznia duhet të shohë për më lartë dhe sytë e të gjithëve në Shkodër janë të drejtuar nga kryesia: “Deri ku mund të shkojmë?”. Me disa blerje të goditura në merkaton e janarit, kjo skuadër nuk e diskuton Europën. Kjo pasi ka një trajner me vlera të mëdha që po e gjen kombinimin fitues te shkodranët dhe me skemat e tij ka treguar që ka efektivitet të lartë. Të paktën me skuadrat që ka thuajse të njëjtin nivel arrin t’i mposht, atje deri ku mund të vendos edhe dora e tij. Humbjet zakonisht kanë ardhur nga ekipet që pretendojnë titullin kampion dhe atje Jonuz nuk mund të bëj më shumë, pasi lojtarët bëjnë diferencën në fushë.

  • Të shmanget “tragjedia e tretë”! Vuajtja e Flamurtarit dhe fundi i padrejtë

Pas asaj rënie nga kategoria të Tiranës dhe Vllaznisë, me gjendjen aktuale të Flamurtarit, duket se po afron edhe “tragjedia e tretë” e futbollit shqiptar. Sigurisht që në elitën e Superiores duhet të qendrojnë ekipet më në formë dhe më të mira të momentit, por edhe historia nuk duhet të harrohet se është një element thelbësor. Për vetë historikun e këtij klubi, vlonjatët duhet të transformohen në javët e ardhshme. Të paktën ky lloj fundi nuk është i drejtë, cilido të jetë verdikti përfundimtar. Dorëzimi dhe largimi kaq shumë me pikë distancë nga ekipet e tjera të Superiores e bëjnë edhe më dramatike situatën. Idrizi pret me të drejtë ligjin e sportit që është premtuar prej kohësh, por që nuk po vjen. Lojtarët në këtë situatë nuk mund të bëjnë më tepër dhe një zgjidhje që më e keqja, nuk është në dorën e askujt prej pjestarëve aktual të klubit. Një ditë e re, një kismet i ri. Një vit i ri, por a do të kemi edhe një Flamurtar “të ri” në Superiore? Le të shpresohet! Për hir të historisë, por edhe të konkurrencës. /Sport Ekspres/