E fundit/ Lorenc Trashi e thotë hapur: Dua minutat me Kombëtaren, për të shkuar në Europë

Shqipëria do të ketë dy përballje shumë vendimtare për kualifikueset dhe ëndrrën e Europianit, në takimet ndaj Turqisë dhe Moldavisë. I pranishëm në konferencën për shtyp ishte dhe lojtari i Partizanit që ka marrë ftesën e trajnerit Reja, Lorenc Trashi.

Ky i fundit është shprehur se kërkon edhe minutat e tij në grumbullimin e tretë për Kombëtaren, gjë kjo e cila do të ndihmojë edhe si një “trampolinë” për të shkuar në një tjetër klub europian.

“Ky është grumbullimi i tretë me Kombëtaren. Të jem i sinqertë po përshtatem më mirë tani me Rejën. Jam grumbulluar edhe me Panuçin, por nuk mund të flas më tepër. Sa i përket Rejës, nuk është e nevojshme që ta them unë se çfarë trajneri profesionist që është. Unë jap maksimumin dhe trajneri është ai që vendos në fushë. Duke parë javët e para të kampionatit e ndiej veten shumë mirë dhe shpresoj që të marr minutat e mia në fushë.

Çdo lojtar në kampionatin shqiptar kërkon një eksperiencë më të fortë në Europë dhe Kombëtarja më shërben mirë në këtë pjesë. E thashë edhe më parë që më duhen disa minuta në këmbë që të provoj edhe veten time. Trajneri Lerda u gëzua shumë për ftesën time të Kombëtares dhe më ka përfaquar. Nuk është e pamundur që të grumbullohesh nga kampionati shqiptar. Nuk mendoj se ka lojtar të Superiores që e ka merituar ftesën dhe nuk e ka marrë. Është gjithçka në rregull deri tani”, ka thënë Trashi. /Sport Ekspres/