Do të kthehet sërish në Madrid, Klopp komenton shortin: Nuk mendoj se Simeone po vrapon nga gëzimi

Shorti i mbajtur ditën e sotme për fazën e 1/16 të Champions League ka vënë përballë njëri-tjetrit Atleticon e Madridit dhe Liverpoolin. Jurgen Klopp ka folur mbi kundërshtarin që shorti i rezerveoi, duke thënë se në një farë mënyre e kishte parashikuar diçka të tillë. Trajneri gjerman ka thënë se ndeshjet do të jenë të dyja të vështira, ndërsa shprehet gjithashtu se Simeone me shumë mundësi nuk do të jetë i lumtur pasi ka mësuar kë do të ketë përballë.

“Përpara shortit mendova se do të ishte sërish radha jonë për tu kthyer në Madrid dhe në këtë mënyrë ndodhi. Nga Madridi kemi vetëm kujtime të bukura, të gjithë ne, kështu që është diçka e mirë. Por këtë herë do të luajmë me Atleticon në shtëpi. Është e vështirë, por nëse do ti shkosh deri në fund, atëherë ka 4 ose 5 kundërshtarë potencial.

Do të bëjmë kualifikuese të mira, me dy ndeshje të vështira, ashtu siç duhet të jetë. Por nga ana tjetër, nuk mendoj se Simeone po vrapon në dhomën e tij dhe është i lumtur që do të ketë përballë Liverpoolin. Do të ketë dy ekipe që janë mësuar të luajnë futboll intensive me stile të ndryshme”, ka deklaruar Klopp./Sport Ekspres/