Biznesmeni që bleu me bujë Milanin, nën hetim nga autoritetet kineze

Autoritetet kineze janë duke hetuar ish-pronarin e klubit të Milanit, Yonghong Li, me motivin e dhënies së informacionit të rremë në lidhje me gjendjen financiare të tij në periudhën kur zotëronte ekipin italian.

Sipas asaj që raporton “ANSA”, Li ka mbajtur të fshehtë situatën e tij të vërtetë ekonomike te Milani, duke shpërndarë kështu informacion të rremë. Hetimi ka nisur në kohën kur Guardia di Finanza vuri re një vit më parë tre transaksione dyshuese, në të cilat kishte gisht edhe biznesmeni kinez. Megjithatë, Li nuk i ka pranuar asnjëherë problemet financiare në kohën kur zotëronte kuqezinjtë, madje përkundrazi shprehej se financat e tij ishin të shëndetshme.

Ndërsa kujtojmë se ky nuk është rasti i parë kur emri i Li përmendet për probleme të tilla që lidhen me financat, teksa në vitin 2015 Yonghong Li ishte në listën e rrjedhjeve Panama Papers të zbuluara nga Offshoreleaks, si dhe pati akuza edhe më parë se kërkonte të pastronte paratë me blerjen e klubit të Milanit./Sport Ekspres/