Ardian Takaj i premton besnikëri ekipit: Jemi në pritje të gjyqit, e nis dhe e mbyll me Skënderbeun

Skënderbeu është duke konkurruar me dinjitet në Superiore, pavarësisht vështirësive të mëdha që ka kjo skuadër. Dënimi në Europë është padyshim një mungesë e madhe motivimi për vetë lojtarët, por gjithsesi ky klub e ka një shpresë në gjykatën federale. I ftuar në “Zona Gol” është presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, i cili i premton besnikëri ekipit pavarësisht këtyre momenteve të vështira.

“Ju i dini problemet e Skënderbeut, si të gjithë. Ne jemi në pritje të një gjyqi që keni njohuri të gjithë. Jemi duke e respektuar kampionatin, vetëm ftoj mediat dhe specialistët që të jenë pak të kujdesshëm me opinionet e tyre. Kjo pasi po ndikon shumë presioni i tyre mbi lojtarët tanë, që kanë edhe një moshë të vogël. Gjithë këto Kupa që ne kemi marrë kanë qenë shumë të vështira, duke hedhur djersë dhe para.

Nuk kam shumë qenë i qartë kur fillova të merresha me projektin e futbollit. Por më pas arritëm të ndërtonim investimin serioz me Skënderbeun e deri para dy viteve, ku sukseset e mëdha nuk ishin rastësi. Kur u eliminuam nga Chernomorest me penallti në “Play Off” në “Europa League”, atëherë unë thashë: “Ne mundemi”. Atje isha i bindur për rezultatet që ne do të arrinim.

Nuk kam ndonjë projekt B, por vetëm atë A për gjykatën Federale që do të japi vendimin përfundimtar. Unë e kam nisur dhe do e mbyll me Skënderbeun, nuk dua të lëviz sipas kohëve dhe interesave. Gjykata federale është hermetike dhe nuk kemi marrë ndonjë informacion, presim caktimin e datës”, ka thënë Takaj. /Sport Ekspres/

(Vijon)