Alban Bushi me ndryshime në listën e Shpresave, e gjen zëvendësuesin e Mucollit te Tirana

Alban Bushi ka vendosur të bëjë ndryshime në listën e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, pas dëmtimit të Arbnor Mucollit. Lajmi është bërë i ditur nga FSHF, ndërsa vendin e lojtarit që luan me ekipin e Vejles në Danimarkë do e zërë një futbollist i Superiores.

Bushi ka vendosur t’i besojë një vend në grumbullim lojtarit Jurgen Çelhaka, që është pjesë e klubit të Tiranës dhe ishte projektuar fillimisht si pjesë e Kobëtares U-20. Kështu, Çelhaka do i bashkohet grupit në Durrës për vijuar përgatitjet për përballjen e radhës dhe do të jetë nën urdhërat e Bushit për ndeshjen që Shpresat kuqezi do të luajnë në 15 nëntor në “Loro Boriçi” kundër bashkëmoshatarëve të Anglisë. /Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë:

Shqipëria U-21, e drejtuar nga Alban Bushi, do të fillojë ditën e dielë grumbullimin dhe përgatitjet për ndeshjen zyrtare me Anglinë në “Loro Boriçi” më 15 Nëntor. 21 vjeçarët e trajnerit Bushi do të stërviten në qytetin e Durrësit ku dhe do të jenë të grumbulluar.

Ditën e sotme ka pasur ndryshime në listën e Bushit. Arbnor Muçolli për shkak dëmtimi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Anglisë dhe në vend të tij është thërritur Jurgen Çelhaka nga skuadra e Tiranës.