Elvis Plori do të mbetet përsëri pjesë e klubit të Vllaznisë. Pas dy viteve në rolin e zëvendës trajnerit si dhe për një periudhë të shkurtër i gjendur edhe si trajneri i kuqebluve, shkodrani do të vijojë të ardhmen larg ekipit të parë.
Klubi i Vllaznisë ka lajmëruar përmes faqes zyrtare në “Facebook” ditën e sotme se Plori do të jetë trajneri i ri i ekipit U21. Akademia e Shkodrës është shquar përgjatë historisë për nxjerrjen e talenteve në futbollin shqiptar dhe tani do të jetë pikërisht detyra e Elvis Plorit për t’i zbuluar këta emra të rinj.
“ZYRTARE! KF Vllaznia bën të ditur se ka emëruar z. Elvis Plori në postin e trajnerit të ekipit U21. Njëkohësisht ai do të kryejë edhe detyrën e promovuesit të talenteve të Akademisë tonë. Plori do të nisë punën me ekipin U21 nga e mërkura e ardhshme dhe ne i urojmë suksese në detyrën e tij të re”, shkruhet në njoftimin e klubit të Vllaznisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/