Ballkani ka prezantuar sot blerjen më të re. Kampionët e Kosovës kanë bërë merkato në “Abissnet Superiore”. Klubi nga Theranda ka vendosur në urdhërat e Ilir Dajës Elmando Gjinin. Mbrojtësi 21-vjeçar ishte pjesë e Teutës, e cila ka përfituar rreth 150 mijë euro nga shitja e kartonit të tij.
“Tifozë të dashur, skuadra nga dita në ditë po plotësohet e po komponohet! Për t’i ndjekur objektivat tona ashtu siç na takon, kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se kampionëve të Republikës së Kosovës, iu është bashkuar edhe një futbollist kualitativ.
Mbrojtësi 21 vjeçar, Elmando Gjini, tashmë është veshur portokall e zi. Lojtari që mbron ngjyrat e Kombëtarës së Shqipërisë, së fundmi ishte pjesë e Teutës së Durrësit, skuadër me të cilën FC Ballkani ka arritur marrëveshje për blerjen e kartonit të tij.
Me futbollistin që karrieren te grupmoshat e reja e ka zhvilluar te disa skuadra evropiane, ndër to Genoa e Bologna të Serie A, kemi nënshkruar kontratë 4 vjeçare. Klubi i dëshiron mirëseardhje shkodranit, duke i uruar suksese drejt arritjes së synimeve tona të përbashkëta. Na priftë e mbara”, ka njoftuar klubi Ballkani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/