“Zvezdën e pret ai që sulmoi Mitroviç dhe u zu në Beograd”, në Serbi i frikësohen lojtarit që nuk luan

Edhe me stadiume të boshatisura në Serbi nisin të sajojnë mënyra për provokime ndaj Crvena Zvezdës. Me sa duket ndeshja shkon përtej futbollit për ta dhe kanë nisur të frikësohen për një episod të ngjashëm si ai në Beograd.

Media “Kurir“ sjell edhe njëherë atë mbrëmje në kujtesë, por këtë herë i jep rolit të protagonistit edhe Andi Lilës. Mbojtësi shqiptar merr pamjen e huliganit në sytë e serbëve, teksa shkruajnë se ishte ai që sulmoi Mitroviç për flamurin e valëvitur nga droni si dhe u përlesh me tifozët për të.

“Crvena Zvezda do të mirëpritet në Tiranë nga një lojtar futbolli, të cilin tifozët në Beograd e mbajnë mend mirë … Lojtarët e Yllit të Kuq do të luajnë ndeshjen e raundit të dytë të kualifikimeve për fazën grupore të Ligës së Kampionëve kundër Tiranës të martën në 20:00 në Shqipëri. Për fat të mirë, kuqezinjtë do të luajnë para stendave boshe, por kjo nuk do të thotë që pritësi nuk do të gjejë një mënyrë për të provokuar futbollistët e kampionit serb“, nis shkrimin e saj “Kurir“.

“Një incident ndodhi në fushë, në të cilën morri pjesë një lojtar futbolli, i cili aktualisht po luan për Tiranën – përfaqësuesi 34-vjeçar i Shqipërisë, Andi Lila. Shqiptari armiqësor atëherë u përlesh ashpër me Stefan Mitroviçin, pasi futbollisti serb rrëmbeu flamurin e diskutueshëm.

Lila u përpoq ta pengonte Mitroviçin të merrte flamurin, kështu që kishte një kaos të përgjithshëm në fushë. Me atë rast, futbollisti i Tiranës u përlesh edhe me tifozët që nxituan në fushë, për të marrë flamurin provokues. Shpresojmë të mos shikojmë skena të ngjashme në Tiranë të martën“, përfundon media serbe, që i frikësohet kështu një lojtari që nuk luan.

Me sa duket në Serbi nuk i kanë hedhur një sy listës së lojtarëve të Tiranës në Champions League, ku emri i Andi Lilës nuk përfshihet askund. Madje nuk ka bërë ende një debutim me bardheblutë. /Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *