Zmijani: Unë trajner? Do ishte nder!

Tekniku flet për “Sport Ekspres”: Vllaznia nuk duhet të vajtojë, por të ringrihet. Mendoj për ekipin e të rinjve, kënaqësi nëse etiketohem si kandidat

Gaspër Marku

Ndërkohë që në opinionin sportiv shkodran vijojnë komentet dhe analizat rreth dështimit të Vllaznisë në Superiore, madje hera herës edhe me tone të ashpra në drejtim të futbollistëve, stafit teknik por edhe krerëve të klubit dhe bashkisë, për Luan Zmijanin, ajo që ka interes për Vllazninë në këto moment është që të fillohet e të mendohet për të ardhmen. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, ish-futbollisti shkodran që është pjesë e fitimit të trofeut të fundit të Vllaznisë kampione në 2001-shin, natyrisht që nuk është kundër analizës së asaj që u la pas. Sipas tij, problematika që shfaqi Vllaznia gjatë ecurisë së kampionatit që sapo u mbyll duhet të analizohet nga njerëzit e duhur dhe kompetente, qoftë të aspektit teknik dhe atij organizativ, sepse për një gjë të tillë ka nevojë klubi kuqeblu. Ai nuk do që gabimet e shfaqura, si në fushë dhe drejtim të mos përsëriten periudhen në vazhdim. Megjithatë, për momentin ai mendon se duhet lënë pas “ditët e vajtimit”, siç i quan ai periudhën që pas mbrëmjes të së mërkurës së kaluar. “Kjo është një ngjarje aspak e mirë për të gjithë qytetin e Shkodrës. Fjalët e tepërta në këtë moment janë pa vend, sepse dihet tashmë, një kolpo të madhe ka pësuar klubi Vllaznia, nga sportistët, nga stafi. Po ashtu, edhe më tepër dhe më e madhe nga tifozëria e zjarrtë e Shkodrës. Por, mendoj që tani, ‘ditët e vajtimit’ kaluan dhe ndaj duhet menduar për të ardhmen, sepse nuk jemi as të parët dhe të fundit që kemi rënë”, – shprehet Luan Zmijani për gazetën. Ish-mbrojtësi i suksesshëm kuqeblu që më pas vijoi në detyrën e trajnerit të moshave duke u shpallur kampion me Vllazninë U-19, ndërkohë që klubi i besoi drejtimin e skuadrës së parë pas largimit të stafit zviceran, thekson domosdoshmërinë e marrjes së masave për të ardhmen. “Nuk është as hera e parë që kemi rënë, por duhet të gjejmë forca dhe mënyrën se si të ringrihemi sa më shpejt.E kur të kthehemi të mos përpëlitemi më në vendet e fundit duke qëndruar me shpresë, nëse po shpëtojmë, apo jo”, – thekson Zmijani në fjalën e tij.

One thought on “Zmijani: Unë trajner? Do ishte nder!

  1. Jose Zmijani ti e Pate at nder dhe e bane vrer ! Luan zmijani , kalamishi dhe grima plus kapoja Lorenc Luka ishin ato qe I vune dinamitin Vllaznise

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *