Zhvillimet e fundit/ Seria A nis nesër stërvitjen, por Juventusi mund të shpallet kampion në tavolinë të mërkurën

Nga Klaudio Ndreca

Italia nuk e ka fituar ende betejën me pandeminë e Koronavirusit, pavarësisht se shifrat e të infektuarëve kanë dukshëm një trend zbritës. Për këtë arsye ka edhe shumë polemika sa i përket rifillimit të futbollit.

Për më tepër, është Franca ajo që po angazhohet për të bindur shtetet kryesore që të mos lejojnë hapjen e futbollit. Vetë Macroni me ministrin e tij të sportit është duke punuar për këtë pjesë, ndërsa “Ligue 1” e shpalli kampionin e saj në tavolinë, PSG-në.

Por çfarë do të ndodhi me Seria A? Ditën e hënë, pra nesër, skuadrat do të dalin në stërvitje individuale. Konfirmimi është dhënë dhe lojtarët do të shohin fushën e blertë pas shumë kohësh mungese. Gjithsesi nuk ka vend edhe për shumë optimizëm, duke parë artikujt e postuar nga mediat italiane e më veçanërisht nga “La Republica”.

Sipas kësaj të fundit, kryeministri Conte është duke menduar seriozisht për mbylljen e kampionateve para kohe dhe ky vendim do të zyrtarizohet në ditën e mërkurë. Rreziku është i madh për të mbërritur në këtë përfundim që nxjerr Juventusin kampion, megjithëse për të mbërritur deri aty kërkohen ende dhe disa orë të tjera për zhvillime të ndryshme, ndërsa e sigurt është se skuadrat ditën e nesërme do të gjenden për t’u stërvitur. /Sport Ekspres/