Braziliani i Flamurtarit shpreson të jetë gati në ndeshjen e dytë të kupës me Skënderbeun. Mesfushori ka besim se skuadra do ta lërë pas periudhën ne errët
Elton Nika
Kukësi konsiderohet ndeshja e kthesës për vlonjatët, të cilët vijnë pas disa humbjeve radhazi, të ndikuara shumë nga mungesat dhe gjykimi. Gjithsesi, ajo që ka ikur nuk kthehet dhe tani është shumë e rëndësishme që Flamurtari të reagojë.
GJENDJA – Nurkoviç, Tunkara, Muarem dhe Zhufo kanë qenë lojtarët me probleme fizike. Por rikthimi në stërvitje i portierit Nurkoviç dhe sulmuesit Tunkara e kanë qetësuar disi trajnerin Duro. Muarem pritet që sot të stërvitet me grupin dhe gjatë javës do të shihet gjendja e mesfushorit, nëse mund të luajë me Kukësin apo jo. Tunkara dhe Nurkoviç janë gati dhe kjo është e rëndësishme, sidomos për sa i takon portës. Kthehet edhe Bicaj, pas mungesës për shkak kartonësh.
ZHUFO – Kurse braziliani Zhufo, me shumë mundësi, do të jetë gati në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Shtyrja e javës së 27-ë ndikon pozitivisht dhe braziliani i ardhur nga Shkëndija e Tetovës te Flamurtari shpreson se ka kohë do ta ndihmojë për të shpejtuar kthimin në fushë: “Mendoj se shtyrja e kampionatit na ndihmon për rikuperimin nga dëmtimet. Problemi muskulor m’u rikthye, por shpresoj të jem sa më shpejt gati. Deri para pak ditësh llogaritë i bëja për një rikthim në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun, por tani mendoj se mund të jem më përpara në fushë. Megjithatë, synimi im mbetet Skënderbeu, edhe për vetë faktin se nuk dua të rrezikoj, që të mos kem sërish probleme. Dua të jap kontributin tim në këtë fund të sezonit. Jemi në një moment kyç të sezonit, me kampionatin në fazën e fundit dhe kupën e Shqipërisë. Duam të jemi në Europë dhe do të thosha se ndeshja me Kukësin do të jetë mjaft e rëndësishme. Vlen shumë për të ardhmen, por edhe kupa është me mjaft rëndësi, pasi mund t’i shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë trofeun për t’i falur kënaqësi vetes, klubit, qytetit dhe tifozëve dhe drejtuesve tanë. E meritojnë. Më pas, ndeshja me Skënderbeun, e para në kupë, ka rëndësinë e saj dhe tregon shumë për të ardhmen tonë. Më vjen keq që do të mungoj në dy ndeshje kaq të rëndësishme, por Flamurtari ka lojtarëve mjaft cilësorë dhe kjo situatë e keqe do të marrë fund. Për këtë fakt kemi të gjithë besimin maksimal”, – ka thënë dje për “Sport Ekspres” braziliani i Flamurtarit.