Talenti i Kosovës, Edon Zhegrova, është në formë spektakolare, sepse në 3 ndeshjet e zhvilluara për vendin e tij të lindjes ka shënuar 2 gola dhe po rritet me hapa gjigantë. Për Sportin në KTV, 19-vjeçari ka folur për momentet që po kalon me Kosovën, por edhe për miqësoren kundër Shqipërisë, Panuçin dhe një lojë me topin që krijoi pak debat, nëse ishte e drejtë që të dhurohej shfaqje cirku në atë miqësore.
“Në tre ndeshje kam shënuar 2 gola. Normalisht është një fillim i mbarë me përfaqësuesen e Kosovës. E gjithë skuadra është paraqitur mirë. Të gjithë lojtarët kanë dhënë më të mirën e tyre dhe kemi marrë fitore në këto 3 ndeshje. Kam marrë shumë mesazhe dhe i falënderoj të gjithë tifozët për përkrahjen që më kanë dhënë dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu me shumë fitore”.
“Gjesti me top ndaj Shqipërisë? Edhe kur kam qenë në Kosovë, gjithnjë kam dalë të luaj në lagje, gjithnjë kam qenë me topin dhe gjatë gjithë kohës jam me topin. Janë pjesë e lojës time edhe mundohem që t’i tregoj dhe në ndeshje.
“Panuçi? Nuk kam pasur kontakt pas asaj ndeshje ose para asaj ndeshje. Nuk kam pasur kontakt me Panuçin”.
“Mendoj se me kualitetin që kemi mund ta kalojmë grupin. Ky është synimi ynë dhe të shkojmë sa më lart. Do mundohemi që të jap më të mirën ën çdo ndeshje dhe të shënoj e të jap sa më shumë asiste. Të gjithë ne lojtarët kemi dëshirë që të luajmë në stadiumin e Prishtinës, pasi është vendi ynë. Unë jam rritur në Prishtinë dhe është një motiv shtesë, pasi do kemi të gjithë tifozët e do jetë një mbështetje e madhe”.
“Kam oferta nga disa skuadra, por jam i fokusuar te Genk-u, pasi jemi kualifikuar në Europa League, Uroj që të kemi një sezon të suksesshëm”.