Zgjedhja e arbitrave, sekreti qesharak i FSHF-së

Ekziston një rregull në Federatën Shqiptare të Futbollit: për të evituar keqkuptimet, ngacmimet, tentativat për manipulim, etj, emrat e arbitrave për ndeshjet e Superiores publikohen ditën e ndeshjeve. Një rregull qesharak, që nuk aplikohet askund dhe që vetë FSHF e shkel me këmbë në shumë mënyra, sepse së pari klubet i mësojnë emrat e arbitrave një ditë para ndeshjes, dhe së dyti, klubet, gjyqtarët apo zyrtarë të FSHF-së, i shpërndajnë emrat e gjyqtarëve në media 24 orë para ndeshjes. Tani, nëse një arbitër e ka në plan ta masakrojë një ndeshje, e bën sido që të ndodhë, sado sekret të mbahet emri i tij për popullin e thjeshtë, por ajo që është edhe më absurde konsiston në faktin që Federata nuk i jep emrat ditën para ndeshjes, por ndërkohë ato i lexon kudo, nëpër portale që kanë lidhje ose me Federatën, ose me gjyqtarët e shefat e tyre, ose me klubet që i marrin vesh emrat e arbitrave dhe nxitojnë t’i përhapin në media. Me këtë rast, i bëjmë një thirrje FSHF-së: a nuk është më mirë që gjatë javës, si në gjithë botën, të publikohen emrat e arbitrave? Edhe në Kosovë, ku ka probleme pa fund futbolli, arbitrat zgjidhen që në mesjavë, ndaj e dashur Federatë, qëndro e qetë, arbitrat palaço që prishin ndeshjet do ta vazhdojnë misionin, edhe sikur ta mbani sekretin deri 5 minuta para ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *