Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka mbetur shumë i kënaqur nga fitorja në Ballsh, që vlen praktikisht Superioren, ndërsa tashmë mendon për të ardhmen. Rinovim nuk ka ende, por braziliani është i bindur se do të arrijë marrëveshjen me presidentin Halili, edhe pse ka disa kushte.
“Gjithçka perfekte, shënuam dy gola shumë shpejt dhe nga kjo u duk e lehtë. E nisëm shumë fort, me ritëm shumë të lartë dhe e dinim që Bylisi na ka krijuar shumë probleme, ndaj mobilizimi ishte maksimal, edhe pse kishim disa mungesa. Bylisi është ekipi i vetëm që na ka mundur, u kisha kërkuar lojtarëve një sforcim të fundit, tashmë jemi të lumtur, ngjitja në Superiore është thuajse e kryer, shpresojmë t’ia dalim javën e ardhshme dhe të festojmë me tifozët tanë, në një stadium të mbushur.
“Superiorja? Është diçka e re, për mua dhe për shumë lojtarë. Mendoj se do të jem edhe sezonin e ardhshëm, kam folur edhe me presidentin. Kemi hedhur vetëm hapin e parë, sezonin e ardhshëm duhet të rinisemi kundër rivalëve të rëndësishëm, duke luftuar për kualifikim në kupat e Europës”.
“Festa bëhet vetëm për trofe? Hapat një nga një, me kalimin e kohës do të luftojmë edhe për trofe. Lojtarët që do të qëndrojnë do të duhet të kenë cilësinë dhe dëshirën për të fituar trofe dhe për të luajtur në kupat e Europës.
“Rinovimi? Po bisedojmë, presidenti e di çfarë skuadre dua, nuk besoj se do të kemi probleme për gjetjen e marrëveshjes për të ardhmen. Historia e Tiranës duhet respektuar, Tirana nuk duhet të luftojë më për mbijetesën, por vetëm për trofe”.