Tirana po dominon në kampionat, por këtë sezon kërkon të konfirmohet si mbretëresha e kupës, për të fshirë disi zhgënjimin e një sezoni larg Superiores. Trajneri Ze Maria ka folur sot për sfidën e nesërme kundër Kukësit, rival të cilin Tirana e mundi edhe në Superkupë. Braziliani nuk i konsideron ndeshje të ngjashme: “Do të jetë ndryshe nga ajo e fundit, pasi të dy ekipet kanë ndryshuar shumë në përbërjen e tyre. Ky takim është një histori e re. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë përballje dhe kemi përgatitur çdo detaj, sepse Kukësi është skuadra kampione në fuqi. Ata kanë ndjekur nga afër një ndeshje tonën, ne nuk e kemi pasur ende luksin për të parë një ndeshje të Kukësit. Kam parë disa ndeshje të Kukësit me regjistrim, por mund të them se kjo nuk vlen shumë. Duhet të bëjmë llogaritë mirë, pasi ky duel është 180 minuta dhe jo 90”.
Albi Doka do të mungojë sërish, zbulon trajneri bardheblu, i cili frenon përforcimet e janarit: “Doka ka pësuar një dëmtim pak më të rëndë nga çfarë mendohej dhe do të mungojë 3-4 javë. Daja do të jetë i gatshëm për këtë takim. Afrimet e reja nuk janë gati për të dhënë 100% e tyre, pasi nuk kanë luajtur prej nëntorit. Nuk e di nëse mund të ketë ndonjë debutim nga ana e futbollistëve të ardhur së fundmi në këtë ndeshje, por e vetmja gjë e sigurt është se për ta do të ketë disa minuta në fundjavë.”