Quhet Ernest Muçi, sapo ka mbushur 17 vjeç dhe te Tirana ka fituar zemrat e të gjithëve. Një trajner si Ze Maria, me një karrierë të pasur si lojtar, diçka ka parë tek ai dhe tanimë besimi i dhënë po i shpërblehet. Zakonisht ka kapërcime nga të rinjtë në ekipin e parë, por Muçi është pjesë e Tiranës U-17. Normalisht, duhet ta dijë që ende nuk ka arritur asgjë, sepse janë vetëm hapat e parë, por nisja është shumë e mirë. Dhe shakanë e Karabecit që të mos i rritet mendja, duhet ta vërë në vesh. Në kampionatin e moshave ka luajtur më pak se shokët e tij (për shkak se Ze Maria e ka marrë me ekipin e parë) dhe e ka gjetur rrugën e rrjetës dhjetë herë. Me tre golat e shënuar me ekipin e parë regjistron 13 gola. Një shifër e mirë. Nuk e ka pritur t’i ndodhte diçka e tillë dhe e tha këtë edhe pas ndeshjes: “Nuk është se kam emocione kur luaj, por nuk e kisha menduar që për tre muaj të luaja titullar. Kam shënuar tre gola deri më tani dhe kjo është diçka fantastike”, thotë fillimisht sulmuesi, i cili ka rënë në sytë e menaxherit të njohur Shkumbin Qormemeti, që po kujdeset për të ardhmen e futbollistit.
Pas ndeshjes Ze Maria shprehu keqardhjen për dëmtimin e Ngosë, por nga ana tjetër i gëzohet asaj që bën Muçi. Anglezi është ai prej të cilit adoleshenti ka mësuar shumë, ndaj nuk mungon as falënderimi dhe një premtim: “Dua të falënderoj edhe Ngonë, i cili më ka mbështetur gjatë kësaj periudhe. Do mundohem ta zëvendësoj më së miri nëse trajneri më jep besimin”. Me shumë mundësi kjo dëshirë do i plotësohet Muçit. Nëse ndokush kishte dyshime kur emri i sulmuesit u përfshi në listën e lojtarëve që do të udhëtonin në Turqi për fazën përgatitore, sot nuk ka. Tirana ka fituar një tjetër “xhevahir” dhe u mbetet atyre ta “përpunojnë” për t’ia rritur vlerën. Mënyra më e mirë është duke i dhënë minuta, në fushë bëhesh futbollist.