“Xhixhën e lashë në Shqipëri ta shpalli edhe këtë sezon kampion Tiranën“, Seferi: Kombëtarja shkruan historinë me këta lojtarë

Taulant Seferi ka festuar golin e tij të parë në Ukrainë, ku po zhvillon një sezon të pazakontë. Rusia ka sulmuar Kievin dhe situata në kryeqytetin ukrainas është e pasigurtë. Sulmuesi shqiptar ka folur në një lidhje direkte për emisionin “Analizë Kuqezi“ në “Supersport“, ku tregon më tepër rreth eksperiencës së re me Vrosklan në Ukrainë. Seferi ka komentuar edhe shortin e Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2024, si dhe në fund tregon vlerësimin e lartë që ka për Redon Xhixhën, që po shkëlqen këtë sezon me Tiranën.

“Sot në orët e para të mëngjesit kanë sulmuar Kievin dhe ndeshjet që duhet të luheshin atje janë shtyrë. Ne rrimë në një vend të sigurt, por situata nuk është e rehatshme. Është shumë e keqe pasi Kievi është qytet i bukur dhe po ndodhin shumë gjëra të këqija.

Trajneri ma ka dhënë besimin sepse i kam luajtur të gjitha ndeshjet, më në fund erdhi goli dhe është shumë mirë për mua. E nisëm keq kampionatin, por tani kemi marrë fitore dhe jemi shumë të lumtur dhe jam i kënaqur që më asistoi Toli, pasi me atë gol morëm tre pikët. Vorskla është një klub i madh dhe i synon kupat e Europës. Na u desh pak kohë të mësoheshim njëri me tjetrin, por pak nga pak po përshtatemi. Këtu është kampionati shumë i fortë dhe agresiv, ka shumë duele dhe intensitet në stërvitje dhe duele.

Shorti i Shqipërisë? Unë nuk e quaj asnjëherë short të lehtë, por janë shanse të mira që Shqipëria të shkruajë historinë dhe me këta lojtarë që kemi jam shumë besim plotë që në ndeshjet e ardhshme Kombëtarja do marrë rezultate të mira. Xhixha? E kam lënë në Shqipëri që ta shpallë edhe këtë sezon Tiranën kampion. Nëse do ishte për mua e kisha marrë që sot nga Shqipëria”, ka thënë Taulant Seferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *