Të investosh pafund jo domosdoshmërisht të dërgon në përmbushjen e gjithë objektivave të synuara dhe një gjë e tillë vlen edhe për sportin. Një mendim të tillë ndan edhe komentatorja e parë sportive shqiptare, Qëndresa Krelani, e cila në një postimnë rrjetin e saj social tregon edhe kritikat për presidentët shqiptarë të futbollit. Sipas saj investimi nuk mund të sillet vetëm rreth sasisë, por kryesorja është cilësia.
Krelani ka një këshillë për presidentët shqiptarë të klubeve të futbollit, të cilëve u tregon se duhet të jenë më të hapur ndaj ideve të reja dhe të derdhin para me zgjuarsi në mënyrë që në fund të kenë të bëjnë me projekte të mëdha.
“Disa, ama veç disa presidentë të klubeve në Kosovë hiç nuk dallojnë prej atyre presidentëve sheik të Europës. Xhepin plot. Trurin për futboll bosh. Futbollit i nevoiten afër sa më shumë njerëz që janë plakur duke ngrënë bar të stadiumeve. Ata duhet të marrin vendime sesi të dizajnohet një klub.
Ti president je veç sponsor. Je një njeri i privilegjuar që jep para për ta kthyer fantazinë në realitet. Por momentin kur punëson punëtorë dhe ju imponon gjithmonë të mendojnë njësoj sikur ti, atëherë ke punësuar shërbëtorë, dhe kjo nuk i ngjason një skuadre me projekt europian… Dy zgjidhje i ke. Të punësosh në klub njerëz me eksperiencë, pasionant dhe super të aftë ose njerëz të urtë, të mirë dhe pa fjalë. Këtë të dytën po e praktikoni më shumë sepse ne si Shqiptarë kërkojmë njerëz që na binden pa kerkuar mendimet e tyre. Dhe fatkeqësisht cilido të jetë mendimi i ri konsiderohet opozitë e keqe.
Kur e ndërton një banesë, një pallat apo çfarëdo qoftë, punëson arkitektët apo klasë punëtore për finalizim. Jo pse ke qejf të pasurosh arkitetin apo punëtorin, por se ti nuk di të projektosh dhe ndertosh si dinë ata. Njëjtë edhe në klub. Nëse mendon që duhet bërë si thua ti, veshi këpucët ose dorezat e portierit edhe dil fitoje lojën. Vishe uniformën e delegatit ose të trajnerit, edhe na dërgo në Europë.
Në fund në çdo libër të futbollit thuhet: “President i suksesshem je, jo sa para ke apo bën, po sa trofe fiton me njerëz, zemra e të cilëve refuzon paratë para betimit për trofe”. Pareli shumë…Presidentë me P të madhe shumë pak”, shkruar Qëndrea Krelani./Sport Ekspres/